Ekzekutimi i shqiptarit në Greqi për një shtëpi 2 milionë euro, Selimaj kërcënoi policin: Je me fat që nuk kam armën

Detaje të tjera kanë dalë nga vrasja e 41-vjeçarit Altin Arapaj, i cili u ekzekutua nga bashkëkombësi i tij, Mikel Selimaj, 46 vjeç, në Athinë. Ngjarja nisi mbrëmjen e së martës, kur viktima u mor me makinë nga autori dhe dy persona të tjerë, të cilët tashmë janë nën akuzë për bashkëpunim në vrasje.

Gjatë rrugës, Arapaj u qëllua me armë dhe, ndonëse i plagosur rëndë, arriti të kontaktonte bashkëshorten përmes telefonit: “Sapo më qëlluan. Ejani të më gjeni me GPS-in në telefonin tim.”

Pas kësaj telefonate, policia nisi kërkimet, duke gjetur fillimisht celularin me gjurmë gjaku dhe më pas trupin e pajetë të viktimës në një vresht. Sipas hetimeve, ai mund të ketë qëndruar gjallë për disa orë pas plagosjes, por nuk ka arritur të mbijetojë për shkak të humbjes së gjakut.

Policia identifikoi shpejt autorin, Mikel Selimaj, një emër i njohur për veprimtari kriminale, përfshirë trafik droge dhe gjobvënie. Ai u lokalizua në një banesë të marrë me qira përmes Airbnb në zonën Glyka Nera.

Pronarja e shtëpisë informoi autoritetet se qiramarrësi nuk po reagonte dhe ndodhej në një “gjendje të keqe”. Në momentin e arrestimit, Selimaj, nën ndikimin e kokainës, kërcënoi një efektiv policie duke i thënë:

“Je me fat që nuk e kam armën me vete sepse e hodha, ndryshe ta tregoja unë.”

Gjatë hetimeve u zbuluan gjurmë gjaku dhe një gëzhojë në automjetin ku ndodhej viktima, ndërsa prokurori ngriti padi për vrasje me paramendim dhe bashkëpunim ndaj të gjithë personave të përfshirë.

Motivi i dyshuar i kësaj ngjarjeje ka të bëjë me një pronë luksoze buzë detit në zonën e Artemidës, me vlerë rreth 2 milionë euro. Sipas bashkëshortes së viktimës, shtëpia në fjalë nuk ishte në pronësi të tyre, por ishte marrë për menaxhim përmes Airbnb. Ajo pretendon se konflikti nisi për shkak të pretendimeve mbi këtë pronë.

“Ka një shtëpi në Artemida që ndodhet buzë detit dhe kostoja e saj është 2 milionë euro. Na kanë paditur për këtë shtëpi dhe në fund e morën. Për këtë shtëpi që nuk është e jona, por Airbnb ma dhanë mua për të punuar”, – ka deklaruar ajo për mediat.