Ekzekutimi i recepsionistit të hotelit në Dhërmi, çfarë dihet deri më tani
Një ngjarje e rëndë ku mbeti i vrarë me armë zjarri 31 -vjeçari recepsionist i një hoteli, ka tronditur mbarë opinionin publik.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme pak minuta pas mesnatës, rreth orës 00:30 në një hotel në Dhërmi.
Viktima është Eraldo Nevruzi, 31-vjeç nga Tirana. Ndërsa autori është shtetasi Gerald Shehu, nga Tepelena, banues në Angli. Shehu është bashkëpronar i hotelit ku ndodhi krimi.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas policisë, Shehu e ka qëlluar me armë zjarri 31-vjeçarin në një nga dhomat e hotelit dhe pasi ka zhdukur trupin, është arratisur drejt vendit fqinj, Greqisë. Ai dyshohet se doli nga hoteli rreth orës 01:00. Pas disa orësh që u shpall në kërkim, në tentativë për t’u larguar drejt Anglisë autori Grald Shehu është vënë në pranga nga autoritetet helene në një aeroport të Greqisë.
Mësohet se autori dhe viktima kishin njohje të mëparshme dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme në Angli ku të dy jetonin e punonin.
Gjithashtu bëhet me dije se çdo sezon veror Shehu shkonte në Dhërmi dhe pjesën tjetër të vitit qëndronte në Angli.
Hoteli ishte një biznes familjar, ku bashkëpronarë ishin vjehrri dhe autori i dyshuar, dhëndri dhe të afërm të tjerë që merren me menaxhimin.
Kërkimet për trupin e viktimës vijojnë
Ndërsa vijojnë kërkimet nga policia, trupi I 31-vjeçarit Eraldo Nevruzit ende rezulton I zhdukur. Sipas policisë kërkimet janë përqendruar kryesisht përgjatë rrugës Dhërmi Himarë, por edhe në ndonjë zonë të dyshimtë që mund ta ketë hedhur trupin, janë kontrolluar edhe kanale apo zonat ku kalon makina, Gjipe, Vuno, Ilias, edhe nga deti me policinë kufitare e cila bashkëpunon me drejtorinë e policisë së Vlorës. Edhe këtë mëngjes kanë nisur sërish kërkimet për gjetjen e trupit , policia ka ngritur dhe dronin duke kontrrolluar territore që mendohet se mund të jetë hedhur trupi
Sakaq ditën e sotme shtetasit Daniel Qose, 33-vjeç dhe David Larti-30 vjeç, të dy banues në Korçë kanë rënë në prangat e policisë,pasi ishin të punësuar në hotelin, ku dhe kanë ndihmuar pronarin të fshihnin trupin e kolegut të tyre.
Po ashtu, policia njofton se nga këqyrja e banesës ku qëndronte autori Geraldo Shehu, në një kasafortë në dhomën e gjumit, shërbimet e Policisë gjetën 1 fishek arme zjarri, me kapsollë të goditur, i cili u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, Geraldo Shehun për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe për Danial Qose dhe David Larti për veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim.
Vijon…