Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për rastin e rëndë të vrasjes së Liridona Ademajt, e cila u ekzekutua më 29 nëntor 2023. Në paraburgim ndodhen katër persona, përfshirë ish-bashkëshortin Naim Murseli, i akuzuar si urdhërdhënës, dhe Granit Plava, i dyshuar si dorasi. Ndërkohë, Kushtrim Kokalla, një ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), akuzohet për ndihmë në kryerjen e krimit.
Prokurorja e çështjes, Javorka Perlinçeviç, ka deklaruar se përgatitja e aktakuzës është vonuar për shkak të hetimeve për zbardhjen e motivit të vrasjes. Ajo bëri të ditur se kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare nga autoritetet suedeze, ku çifti kishte jetuar më parë, për të marrë informacione mbi marrëdhëniet dhe çështjet financiare të tyre.
“Motivi mbetet ende pjesë e analizës. Sipas informacioneve nga Suedia, çifti kishte pasur marrëdhënie të çrregulluara dhe konflikte financiare. Naim Murseli është i dyshuari kryesor si organizator i vrasjes,” tha Perlinçeviç, duke konfirmuar se do të kërkojë dënim maksimal për të akuzuarit.
Pas ngritjes së aktakuzës, vëllai i Liridona Ademajt, Liridon Ademaj, e mirëpriti këtë hap, por kërkoi që gjykata të vendosë një dënim kapital.
“Besojmë në drejtësi dhe duam që të vendoset një dënim që të lehtësojë sado pak dhimbjen tonë. Fëmijët e saj nuk janë mirë, janë të mërzitur dhe po kalojnë momente të vështira. Shpresojmë që ky proces të përfundojë shpejt dhe drejtësia të vihet në vend,” u shpreh ai.
Fillimisht, rasti u raportua si një grabitje që përfundoi me vrasje, por një ditë më vonë Policia arrestoi Naim Murselin, duke zbuluar një plan të mirëorganizuar për eliminimin e Liridona Ademajt.
Rasti tronditi opinionin publik dhe nxiti protesta të shumta në Kosovë, ku kërkohej drejtësi për viktimën dhe ndëshkimi maksimal i përgjegjësve.