Ekzekutimi i Elis Roshkodol në Shkodër, Voltan Xhani dyshohet si grup kriminal, pritet të hetohet nga SPAK
SPAK pritet të marrë në dorë hetimin për vrasjen e Elis Roshkodolit, ngjarje e ndodhur më 30 gusht 2024 në Shkodër.
Vendimi u mor pasi Prokuroria e Shkodrës, gjatë hetimeve, konstatoi se pas atentatit fshihej një grup i strukturuar kriminal. Dosja iu transferua SPAK-ut menjëherë pas arrestimit të Voltan Xhanit, gjatë operacionit policor “Enigma” në Durrës.
Sipas burimeve hetimore, Voltan Xhani dyshohet jo vetëm se ka ndihmuar në përgatitjen e atentatit, por gjithashtu mund të jetë organizatori dhe financuesi kryesor i tij. Në servisin e tij u gjet makina e përdorur për kryerjen e vrasjes. Së bashku me të u arrestua edhe vëllai i tij, Jugerti Xhani.
Për këtë ngjarje është arrestuar edhe Xhulio Malo, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në ekzekutimin e Roshkodolit.
Burime të sigurta bëjnë me dije se motivi i vrasjes lidhet me përplasjen mes grupeve kriminale që merren me trafikun e kokainës, ku të përfshirë dyshohet të kenë qenë si viktima, ashtu edhe autorët e dyshuar.
Elis Roshkodoli u qëllua me 24 plumba brenda një lokali në lagjen “Ahmet Haxhia” të Shkodrës, duke ndërruar jetë në vend. Ai ishte i njohur më herët për përfshirje në aktivitet kriminal.