Ekstradohet nga Zagrebi 51-vjeçari i shpallur në kërkim për drogë, dyshohet për…

Interpol Tirana ka finalizuar një tjetër operacion ndërkombëtar, duke bërë të mundur ekstradimin nga Zagrebi në Shqipëri të shtetasit Agustin Lleshi 51 vjeç, lindur në Lezhë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Sipas njoftimit zyrtar, 51-vjeçari ishte në arrati që prej vitit 2023, kur Gjykata e Lezhës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, në kuadër të një hetimi penal për trafik droge.

Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në transportimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike të llojit Cannabis Sativa, me qëllim shitjen, në një ngjarje të ndodhur pranë mbikalimit të Rrëshenit, e cila ishte goditur nga Policia gjatë vitit të kaluar.

Njoftimi i policisë

Interpol Tirana

Ekstradohet nga Zagrebi, një shtetas me masë sigurie “Arrest në burg”, nga Gjykata e Lezhës, për prodhim/shitje narkotikësh.

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Kroaci, u finalizua procedura e ekstradimit në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, A. Ll., 51 vjeç, i lindur në Lezhë.

Gjykata e Lezhës, në vitin 2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në vitin 2023, dyshohet se ky shtetas ka qenë i implikuar në një rast të transportimit të një sasie lënde narkotike Cannabis Sativa, me qëllim shitjen, rast i goditur nga Policia, te mbikalimi i Rrëshenit.