Ismail Zeneli, i cili ishte arrestuar në Spanjë pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar më urdhër të SPAK për shkak të dosjes “Metamorfoza 2”, është ekstraduar në vendin tonë.
50-vjeçari që më parë ka mbajtur emrin Luan Sadria, ka masë sigurimi arrest në burg në mungesë të dhënë nga GJKKO. Ai akuzohet për “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ai akuzohet nga SPAK se planifikonte të vriste vëllezërit Edmond dhe Albert Nela, si dhe për 2 raste të trafikut ndërkombëtar të kokainës.Sipas dosjes së SPAK, ai kërkonte të vriste vëllezërit Nela për hakmarrje pasi dyshonte se ishin autorë të vrasjes së vëllait të tij në Britaninë e Madhe në vitin 2013.
Zeneli gjithashtu është përgjegjës sipas SPAK në bashkëpunim me persona të tjerë, edhe për dy episode të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në Holandë dhe Valencia të Spanjës.
Policia e Shtetit
Vijojnë intensivisht operacionet për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë finalizuar nga Interpol Tirana, 2 operacione ekstradimi, nga Spanja dhe nga Franca.
U krye ekstradimi nga Spanja, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar I. Z. alias L. S., 50 vjeç, i lindur në Kukës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
SPAK ka regjistruar procedim në vitin 2023 dhe në kuadër të këtij procedimi, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, si dhe me agjencitë ligjzbatuese belge, franceze, holandeze, gjermane, braziliane dhe kolumbiane, kanë zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në veprimtari kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe në disa shtete europiane. Gjithashtu, hetimet janë kryer dhe në lidhje me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura ne Shqipëri. Dyshohet se shtetasi I. Z. alias L. S. është koordinuar me bashkëpunëtoret e tij dhe ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e shtetasve A. N. dhe E. N., me qëllim vrasjen. Më tej, dyshohet se ky shtetas është koordinuar me bashkëpunëtorët e tij, për trafikimin e lëndëve narkotike, nga vendet e Amerikës se Jugut, në portet kryesore europiane, veçanërisht në Valencia, Spanjë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me Interpol Madridin, u bë i mundur arrestimi i tij në Spanjë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.
—
Gjithashtu, nga Interpol Tirana u ekstradua nga Parisi, Francë, drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar Xh. K. alias Xh. K., 48 vjeç, i lindur në Pukë.
Shtetasi Xh. K. alias Xh. K. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”. Ky shtetas, pas disa konflikteve me bashkëshorten e tij (në proces divorci), e ka marrë atë në telefon dhe e ka kanosur me jetë, në prani të fëmijëve të saj të mitur.
Si rezultat i bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpol Tirana me Interpol Paris, Francë, u bë i mundur arrestimi i tij në Francë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.