Ekstradohet nga Kosova, 50-vjeçari/ I akuzuar nga SPAK, për sigurim të kushteve për të kryer vrasje

Policia e Shtetit/Operacione të njëpasnjëshme kapjeje dhe ekstradimi po kryhen në kuadër të operacionit policor të posaçëm, të koduar “Para drejtësisë”.

I akuzuar nga SPAK, për sigurim të kushteve/mjeteve për të kryer vrasje dhe për pastrim të parave nga veprimtari kriminale, ekstradohet nga Kosova, 50-vjeçari. Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit të kërkuar ndërkombëtarisht, A. L., 50 vjeç.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar 50-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. L. ka siguruar kushte/mjete, me qëllim vrasjen e shtetasit N. M., për llogari të shtetasit F. G. alias F. C.. Gjithashtu, dyshohet se për llogari të të njëjtit shtetas, 50-vjeçari ka pastruar para që kanë patur burim veprimtari kriminale.