Ekstradohet nga Greqia 45-vjeçari i kërkuar për vjedhje me armë në Gjirokastër

Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vjedhje me armë të ndodhur në Gjirokastër është ekstraduar nga Greqia në Shqipëri, falë bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre greke, në kuadër të operacionit “The Wanted”, të koordinuar nga Interpol Tirana.

Bëhet fjalë për shtetasin A. M., 45 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Gjirokastrës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” me vendimin e datës 14.04.2021, për veprën penale “Vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim.

Sipas dosjes hetimore, më datë 31 mars 2021, A. M., në bashkëpunim me një shtetas tjetër, kreu një grabitje në një argjendari në lagjen “18 Shtatori” të Gjirokastrës. Të maskuar dhe të armatosur, ata kanë kanosur shitësin me armë zjarri dhe më pas janë larguar nga vendngjarja me një sasi bizhuterish të grabitura.

Pas një pune intensive koordinuese mes Interpol Tiranës dhe homologëve në Greqi, u bë i mundur lokalizimi, arrestimi dhe më pas ekstradimi i tij në Shqipëri, ku tashmë do të përballet me drejtësinë.