Ekstradohet nga Greqia 34-vjeçari i akuzuar për kultivim kanabisi! Në Itali bie në pranga edhe një tjetër i kërkuar për…
Një tjetër shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar ka rënë në prangat e drejtësisë, si rezultat i operacionit të përbashkët “The Wanted”, mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve greke dhe italiane.
Policia e Shtetit njoftoi se është ekstraduar nga Greqia në Shqipëri shtetasi N. K., alias N. T., 34 vjeç, i cili akuzohet si bashkëautor në kultivimin e bimëve narkotike në vitin 2022, në një parcelë në Njësinë Administrative Ulëz, në Dibër.
Sipas autoriteteve shqiptare, ndaj këtij shtetasi Gjykata e Matit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi nga hetimet rezultoi se ishte përfshirë në një aktivitet të paligjshëm ku u gjetën dhe u asgjësuan bimë narkotike të kultivuara në territor.
Kapja e tij në Greqi u realizua në bashkëpunim të ngushtë mes strukturave të Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, të cilët përmes shkëmbimit të informacioneve bënë të mundur identifikimin dhe ndalimin e 34-vjeçarit.
Ndërkohë, autoritetet italiane kanë arrestuar dhe ekstraduar drejt Shqipërisë një tjetër shtetas shqiptar të shpallur në kërkim. O. J., alias O. Ç., 44 vjeç, u kap në Milano dhe u dërgua në vendlindje për të vuajtur dënimin prej 6 muajsh burg, të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier për veprën penale “Dhunë në familje”.