Ekstradohet nga Franca Paul Deda, i akuzuar për trafikimin e mbi 1 ton kanabis drejt Italisë
Paul Deda, ish-shoqëruesi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, është ekstraduar nga Franca drejt Shqipërisë, vetëm një ditë pas arrestimit të tij në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.
50-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua nga policia franceze në koordinim me Interpol Paris, pas një kërkimi ndërkombëtar të lëshuar nga SPAK, për trafikimin e një sasie prej mbi 1 ton kanabis nga Shqipëria drejt Italisë.
Policia e Shtetit bëri të ditur se ekstradimi u mundësua përmes shkëmbimit në kohë reale të informacionit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve franceze.
Ndaj Dedës, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi ai akuzohet për “trafikim të lëndëve narkotike” dhe “pastrim parash”, kryer në kuadër të një organizate kriminale.
Sipas hetimeve, Paul Deda, në bashkëpunim me shtetas shqiptarë dhe italianë, ka tentuar të trafikojë drejt Italisë rreth 1016 kilogramë kanabis të kultivuar në Shqipëri, përmes rrugës detare. Kjo sasi u sekuestrua në portin e Barit nga autoritetet italiane, të cilat arrestuan edhe dy persona të tjerë të përfshirë në rrjetin kriminal.