Ekstradohen nga Gjermania dhe Italia dy të rinj të kërkuar për drogë, rrëmbim dhe dhunë

Dy shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale, janë arrestuar dhe ekstraduar drejt Shqipërisë në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.

Njëri prej tyre, 21-vjeçari Danjel Lalaj i përfshirë në veprimtari kriminale për kultivim droge në formën e grupit të strukturuar, u kap në Gjermani.

Tjetri, 35-vjeçari nga Korça Kledjon Berberi, u ndalua në Milano, Itali, pasi akuzohet për rrëmbim dhe dhunë të rëndë ndaj një personi. Të dy janë tashmë në Shqipëri, ku do të përballen me drejtësinë.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të operacioneve të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Interpol Tirana bën me dije se:

-Është finalizuar ekstradimi nga Gjermania i shtetasit D. L., 21 vjeç, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për “Kultivim të bimëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.

-Po ashtu, nga Italia është ekstraduar shtetasi K. B., 35 vjeç, banues në Korçë, i cili ishte shpallur në kërkim për “Heqje të paligjshme të lirisë” dhe “Kanosje për deklarime ose dëshmi të rreme”. Ky shtetas, në qershor 2024, në bashkëpunim me një tjetër person, ka mbajtur me forcë brenda një automjeti dhe ka dhunuar rëndë shtetasin K. V.

Policia e Shtetit vijon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të çuar përpara drejtësisë të gjithë personat në kërkim për vepra të rënda penale.