Ekstradohen nga Gjermania dhe Italia dy të kërkuar për vjedhje dhe pastrim parash
Dy shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar në Shqipëri nga Gjermania dhe Italia, pas bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit me autoritetet homologe.
Nga Gjermania u ekstradua 18-vjeçari me iniciale F.M., banues në Tiranë, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës me 2 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim. I riu, në bashkëpunim me vëllain dhe dy shtetas të tjerë të mitur, kishte tentuar t’i vidhte para një të mituri, duke e kanosur me thikë.
Ndërkohë, nga Italia u ekstradua 50-vjeçari me iniciale I.N., i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Të dy shtetasit janë vënë tashmë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore shqiptare për vijimin e procedurave përkatëse.