Ekstradimi i Dritan Rexhepit/ Proda takim ambasadorin e Turqisë: Policia e Shtetit është e hapur për zgjerimin e bashkëpunimit
Një ditë pas ekstradimit të të shumëkërkuarit Gramos (Dritan) Rexhepi, nga Interpol Tirana, Drejtori i përgjitshëm i Policisë Ilir Proda ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Turqisë, Tayyar Kağan Atay ku dhe e ka falenderuar për kapjen dhe ekstradimin. Ndër të tjera ata kanë vlerësuar bashkëpunimin dhe rezultatet i kanë cilësuar historike. Gjithashtu shprehën gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimit, ‘me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim’.
“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Republikës së Turqisë ka një bazë solide, sepse mbështetet në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Falënderoj Policinë e Turqisë, për kontributin e vlefshëm që ka dhënë për Policinë e Shtetit, si në aspektin logjistik, ashtu edhe në atë të trajnimeve të punonjësve të Policisë shqiptare. Policia e Shtetit është e hapur për zgjerimin e bashkëpunimit, për të krijuar ekipe të përbashkëta hetimore, duke shkëmbyer informacione dhe zhvilluar operacione të përbashkëta, si dhe për të zhvilluar vizita në të dyja vendet, për shkëmbimin e eksperiencave”, tha Proda.