Eksperti Soko: Pastruesja veproi në vend të gjykatës. Falenderoni Zotin që mekanizmi ka qëlluar të jetë i butë

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, është një nga reaguesit e shumtë në rrjetet sociale sot, sa i takon rastit të vjedhjes së parave në banesën e ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt. Përmes një ironie therëse, Soko ngre edhe njëherë alarmin për mosfunksionim të drejtësisë në Shqipëri, ndërsa veprimin e pastrueses së arrestuar e legjitimon, duke thënë se thjeshtë ka marrë paratë e saj.

Postimi i plotë i Pano Soko:

Pastruesja dhe i biri nuk i vodhën 120 mijë Euro. Ata thjesht rishpërndanë pasurinë tek pronari i ligjshëm, me metoda jo-konvencionale.
Ata nuk janë hajdutë, janë mekanizmi natyral i korrektimit të anomalisë.
Duhet të ishte gjykata, por në mungesë të gjykatës, shoqëria krijon mekanizma alternativë.
Vetëm se në ca vende mekanizmi thjesht t’i merr lekët tek shtëpia, në vende tē tjera të vjen të djeg gjithë shtëpinë.
Kështu që mos u merrni me pastruesen, lejeni se lekët e saj ka marrë.
Në vend të saj falënderoni Zotin që mekanizmi në Shqipëri ka qëlluar të jetë i butë.