Ekspertët mblidhen për Butrintin: Ta rimarrë shteti
Në një tryezë diskutimi për ‘Mbrojtjen e Butrintit’, me të pranishëm specialistë të trashëgimisë, figura politike dhe aktivistë, u renditën sot argumentet se pse, menaxhimi i Butrinit nga një Fondacion i Posaçëm, është sipas tyre antikushtetues, dhe në dëm të financave dhe trashëgimisë vendase.
Një vit larg, pas kërkesës së një grupi deputetësh të opozitës në Gjykatën Kushtetuese, për të rrëzuar ligjërisht marrëveshjen, që mundëson menaxhimin e zonave të Parkut të Butrintit nga një Fondacion i Posaçëm, “Mbrojtja e Butrintit” vijoi sot me një tryezë diskutimi.
Të pranishëm në debat, ishin specialistë të trashëgimisë, juristë dhe aktivistë, formacioni i ekspertizës që Ministria e Kulturës, sipas tyre duhet të kish thirrur në konsultë para ratifikimit të marrëveshjes.
Cenimi i etnicitetit, humbjet e financiare, në favor të Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit, rritja e çmimit të biletave, menaxhimi i pasurive të trashëgimisë po nga kjo strukturë, ishin shqetësimet kryesore të ngritura.
Pretendohet shkelja e Konventës së Parisit, në rastin e Butrintit si pjesë e listës së trashëgimive të UNESCO-s, që kërkon që administrimi dhe konservimi të bëhet nga shteti ose nga një ent publik.
Ndërkaq, duke theksuar mungesën e transparencës lidhur me shifrat që shteti ka vendosur në funksion të kësaj marrëveshje, juristët tregojnë se në Gjykatën Kushtetuese, palët e paditura munguan, ndërsa renditën sipas tyre shkeljet e Kushtetutës dhe qëndrimin e gjykatës.
Në bordin e Fondacionit 2 anëtarë janë nga Ministria e Kulturës dhe 2 nga Fondacioni Amerikan për Zhvillim, ndërkaq udhëhiqet nga studiuesi anglez Richard Hodges, i cili e shikon në studimet e tij Butrintit, si një sit që ka qenë pjesë e kolonive greke.