EKSKLUZIVE/ Sigurohet formulari i deklarimit të pasurisë së Alda Klosit në ILDKPKI

TIRANË– Dosja.al ka siguruar ekskluzivisht deklarimin e pasurisë së ish-zyrtares Alda (Çiko) Klosi, në banesën e të cilës u vodhën mbi 120 mijë euro para cash dhe sasi të konsiderueshme floriri nga pastruesja Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havier Dobi. Në formularin e nënshkruar nga vetë Klosi, shihet se në datë 20 korrrik të vitit 2016, kohë kur edhe është emëruar drejtoreshë në Ministrinë e Financave, znj.Klosi vetëdeklaron se ka në pronësi 50% të një apartamenti me vlërë 2.5 milionë lekë të reja. Burimi i parave për të blerë këtë apartament, sipas pretendimit të Klosit, që shihet dhe në dokumentin e siguruar nga Dosja.al, janë të ardhura të siguruara nga shitja e një apartamenti të prindërve të bashkëshortit të saj (sot ish-bashkëshort), Altin Klosi.

Ndërsa në zotërim 100%, Alda Klosi deklaron se ka një auto-veturë tip 4+1 të llojit ‘Toyota Yaris’, prodhim të vitit 2004, të cilën pretendon se e ka blerë 180 mijë lekë. Gjithashtu, Klosi, po në vitin 2016 deklaron se zotëron një llogari bankare ku ka 184 mijë e 171.85 lekë gjendje. Të ardhura nga pagan ë një depozitë kursimi deklaron se ka 25 mijë lekë.

Si anëtare e Bordit të Çështjeve të Mira në Lotarinë Kombëtare, Klosi ka siguruar 425 mijë lekë të ardhura, ndërkohë që deklaron se ka dhe një kartë krediti përmes të cilës ka përdorur 100 mijë lekë, që në formular rezultojnë si detyrime të pashlyera.

Nga ana tjetër, Klosi ka deklaruar gjithashtu se në emër të bashkëshortit të saj në atë kohë, Alton Klosi, rezulton të jetë e regjistruar dhe një pasuri e paluajtshme e llojit truall, me vlerë 9 milionë lekë, e blerë me të ardhura nga emigracioni. Në dhjetë faqe formular, zyrtarja nuk pretendon të ketë shuma të mëdha parash në banesë apo edhe sende me vlerë të veçantë (bizhuteri floriri, pikturë, sende dekori,etj).

Gjashtë vite më vonë, Klosi lë detyrën, por ndryshe nga ç’hyri, me vete merr një sërë pronash të paluajtshme, por jo të përfituara nga të ardhurat e saj. Formulari i deklarimit të siguruar nga Dosja.al tregon se Klosi nuk ka investuar nga të ardhurat e siguruara nga postët e mbajtura në Ministrinë e Financave e Kryeministri, por ka katër apartamente, dy prej të cilëve rezulton se i ka të dhuruara. Një tjetër pretendon se e ka blerë me paratë e përfituara nga shitja e apartamentit që zotëronte që në vitin 2016, ndërsa të katërtin e ka financuar me kredi bankare.

Makina që rezulton se zotëron në vitin 2021, është e të njëjtës markë, Toyota, por me vlerë 480 mijë lekë, e blerë nga të ardhurat e përfituara nga shitja e automjetit të parë dhe duke shtuar një pjesë të të ardhurave të siguruara nga paga e marrë.

Në të njëjtin formular, Alda Klosi rezulton të ketë një kredi të pambyllur në një prej bankave të nivelit të dytë, nga e cila ka pa shlyer 995 mijë e 643 lekë. Përveç llogarive bankare e të ardhurave nga paga, Alda Klosi sërish nuk deklaron të ketë shuma parash cash apo sende të tjera me vlerë, duke hedhur kështu poshtë pretendimin e bërë përmes një interviste në media, kur tha se gjithçka që iu vodh në banesë, e kishte të deklaruar.

Formulari nuk tregon këtë gjë, duke nxjerrë zbuluar gënjeshtrën e Klosit!

Marrë nga dosja.al