EKSKLUZIVE/ Kush është Eraldo Muçi, i zhdukuri nga Memaliaj? Lidhjet, atentatet, droga në Greqi, e miqësia me ‘’Sançon’’, ku ndodhet i riu?
Detaje të reja kanë dal nga zhdukja e 30-vjeçarit Eraldo Muçi nga Memaliaj, rreth dy javë më parë. Sipas të dhënave në policinë e shtetit, Muçi më 15 qershor është nisur fillimisht nga Memaliajt për në Durrës, ndërsa për herë të fundit është parë në zonën e Sukthit ku është takuar me një person. Nga ajo zonë, nuk dihet më për fatin e 30-vjeçarit.
Muçi, i njohur si mik i Aleksandër Sadikajt (i vrarë në qershor 2022), rezulton si një person i skeduar nga radhët e policisë për ngjarje të ndodhur në Greqi. Prej ditës që ai është zhdukur familjarët e tij kanë frikë se i biri mund të jetë bërë viktimë e një atentati për motive hakmarrjeje, por ende mungon një pistë zyrtare nga autoritetet.
Burime për Replikë.al, treguan se ka dyshime që 30-vjeçari Eraldo Muçi, ka qënë pjesë e përplasjeve mes grupeve shqiptare në Greqi, për sa i përket prishjes së pazareve të drogës. Madje një burim në radhët e policisë së shtetit, i tha Replikë.al, se Eraldo Muçi ka qënë i skeduar edhe për një attentat të ndodhur në Greqi, kundrejt një shqiptari.
Por kush janë grupet që dyshohet se Eraldo Muçi ishte i përfshirë?
Ari Papa rezulton të ketë qënë viktima e fundit e luftës së përgjakshme mes bandave shqiptare në Greqi për kontrollin e trafikut të lëndëve narkotike. Ari Papa u vra ne 30 maj 2021 ne nje lokal ne Sepolia te Athinës. Papa i kishte shpëtuar 3 atentateve të mëparshme ndërkohë që rezultonte i përfshirë në një grup kriminal në Greqi për trafik droge dhe vrasje. Ari Papa konsiderohet një nga personazhet e rëndësishme të mafies shqiptare në Greqi. Papa është tentuar të vritet në korrik 2007, maj 2019 dhe shkurt 2021.
Cfarë ndodhi në vitet 2007-2021 mes bandave shqiptare në Greqi, ku bënte pjesë edhe Ari Papa? Një grup i madh shqiptarësh, kryesisht të rinj që më pas do të ktheheshin në vrasës, organizuan një bandë prej 20 personash me qëllim trafikimin e drogës. Pas prishjes së pazarave mes tyre, grupi u nda në dy pjesë. Në këtë moment ndërmjet tyre filloi një luftë e ashpër për kontrollin e trafikut të drogës në Greqi që përfundoi me vrasjen e të gjithë anëtarëve të njerit grup përvec një prej tyre që u arrestua në qershor 2007, ndërsa nga grupi tjetër mbetën 5 persona, 4 u arrestuan në 2008 dhe njëri u shpall në kërkim.
Për Ari Papën me origjinë nga fshati Dhivër i Sarandës, përmes zbulimit të mesazheve në aplikacionet “Sky ECC” dhe “Encrochat”, policia greke ka arritur të zbardhë se pas atentatit të 26 shkurtit 2021 në “Stacionin e Larisës” në Athinë, fshihet pikërisht Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar me eksploziv në automjetin e tij në vitin 2022 në Tiranë.
DOSJA “Sky ECC”, ngjarja 26.02.2021
“Gjatë analizës së mesazheve të aplikacionit “Sky ECC”, doli në pah roli aktiv i Aleksandër Sadikaj ose Aleksandër Kalemi dhe Denis Grabocka në një tentativë vrasjeje, të ndodhur më 26/02/2021, ndaj shtetasit shqiptar Aristidis Papas ose Ari Papa. Motivi i tentativës së vrasjes ndaj tij ishte hakmarrja për ngjarjes e datës 14.12.2020 ndaj Viljan Boraj, i njohur si “Giannakis”, e ndodhur në zonën e Patisias në Athinë, nga e cila mbeti i plagosur më armë kushëriri i Aleksandër Sadikaj, 16-vjeçari Rubin Kalemi, pasagjer në mjetin në të cilin udhëtonte Viljan Boraj. Aleksander Sadikaj, ishte orkestruesi i sulmit dhe roli i Denis Grabockës, ishte të jepte informacion për lëvizjet dhe zakonet e objektivit, duke shkuar personalisht në vendet e frekuentuara prej tij, për të dhënë një “sinjal” – shkas, për autorët që ishin të armatosur dhe të vendosur në zonë, ndërsa ditën që ndodhi sulmi, largoi, siç shihet në mesazhe, një nga autorët fizikë Viljan Boraj, për të shmangur arrestimin. Më datë 16.01.2021, Denis Grabocka ka marrë në emër të Aleksandër Sadikaj, në vend dhe kohë të panjohur, nga një furnizues i panjohur, një armë ushtarake të tipit snajper me dioptra, duke ia dërguar foton, të cilën në fakt ua ka dorëzuar ekzekutorëve në një hotel ku po përgatisnin planin e tyre. Madje arma ishte vendosur në një ballkon me pamje nga një shesh, ku viktima frekuentonte dhe ishte vendosur në një distancë prej 100 metrash, por nuk arritën ta kishin viktimën në distancë të qitjes. Më në fund, edhe pas atentatit të dështuar të datës 26/02/2021, në të cilin viktima u plagos me armë, përgatitja e një sulmi të ri vazhdoi me një plan të hartuar nga Aleksandër Sadikaj, duke kërkuar ndihmën e Denis Grabockës për përgatitjen, përkatësisht caktimin e një ekzekutori të cilit viktima i besonte dhe meqenëse ata takoheshin ndonjëherë në një nivel miqësor, në kohën e duhur ta vriste. Në fakt, Grabocka mori përsipër dhënien me qira të një shtëpie në zonën e Kipselit për autorin dhe familjen e tij, ndërsa deri në ditën e fundit të mesazheve u fol për nevojën për të arritur vrasjen e viktimës”.
30-vjeçari i zhdukur pa gjurmë, njihej si një nga miqtë e besuar të Aleksandër Sadikaj, ky i fundit i thirrur edhe me pseudonimin “Sanço” dhe që dyshohet se u vra në atë atentat me bombë të telekomanduar për shkak të humbjes apo vjedhjes së një sasie të madhe droge në linjën Shqipëri-Greqi gati një dekadë më parë.
Anëtarët e tjerë të grupit dyshonin se Sadikaj qëndronte pas humbjes së mallit me dëm financiar të konsiderueshëm dhe kjo solli më pas sagën e përgjakshme mes dy palëve që më parë kishin qenë pjesë e një organizate. Sadikaj u ekzekutua në qershor të 2022, në një atentat mafioz në afërsi të rrethrrotullimit të TEG, ku automjeti i tij shpërtheu nga një sasi e madhe tritoli që ishte vendosur në të.
Pas kësaj ngjarje, mes grupit të tij dhe grupit kundërshtar pati disa krime të rënda. U vra në Tiranë biznesmeni Edmond Papa. 55 vite burg në total ka dhënë Gjykata e Tiranës për vrasjen biznesmenit Edmond Papa në dhjetor 2022. Togat e zeza pranuan kërkesën e Prokurorisë së Tiranës dhe dënuan me 30 vite burg Andrew Bode, ekzekutorin e biznesmenit Edmond Papa për veprën penale “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje të armëve”.
Ndërsa 30-vjeçari Alban Velo, bashkëpunëtor në krim, u dënua me 25 vite burg për veprën penale “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim. Dy të pandehurit do të kryejnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë për shkak të rrezikshmërisë që ata paraqesin. Edmond Papa u ekzekutua më 16 dhjetor të vitit 2022. Autorët qëlluan 9 herë në drejtim të biznesmenit dhe u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes. Vrasja e Edmond Papës, u zbardh pak javë pasi ishte ekzekutuar. Arsyeja qe çoi në vrasjen e tij ishte hakmarrja për vrasjen e Aleksandër Sadikajt.
Dajat e Sadikajt, Adriatik Kalemi e Zamir Kalemi iu mbijetuan të paktën dy atentateve mafioze në Greqi e Tiranë. Më pas u shënua ajo që njihet si masakra e Memaliajt, ku u vra Shyqyri Kalemi, babai i Adriatik e Zamir Kalemit dhe dy persona të tjerë, kamarieri dhe një klient i lokalit.
Teksa saga e hakmarrjes dhe luftës mes dy grupeve kriminale Sadikaj-Papa ka lënë të paktën pesë viktima në pesë vitet e fundit, duket se misteri për këto ngjarje dhe personazhet nuk ka të mbaruar.
Para se të zhdukej, Eraldo ka ndaluar tek ferma e kuajve të familjes Sadikaj dhe më pas ka udhëtuar drejt Durrësit. Për herë të fundit është parë në autostradën Tiranë-Durrës dhe prej aty ka humbur gjurmët. Familja ngre dyshime të forta se atij mund t’i ketë ndodhur ndonjë ngjarje e rëndë kriminale, për motive hakmarrje.
Babai i Eraldo Muçit ka folur për “Blu Tv”, ku ka dhënë edhe disa nga rrethanat e largimit, kur është parë për herë të fundit dhe dyshimet që ka tek ndonjë nga shokët që edhe mund ta ketë futur në kurth. Ai u shpreh se është shumë i shqetësuar dhe se i biri nuk kishte konflikte apo borxhe. Hera e fundit Eraldo sipas tij ishte parë në Sukth.
“Ishte e diela e 15 qershorit, në mbrëmje, foli në telefon me të ëmën, e pyeti ça po bënte. I tha se po hante bukë me qepë, ca qepë të vogla. E që atë dite, me sa dini ju, dimë edhe ne. Sherr në fshatin Bylysh nuk ka pasur, edhe borxh nuk ka pasur. Këto dyja janë kryesore, borxhi dhe zënia, kaq. Pastaj, pas një jave bëra denoncimin në Memaliaj, kam vajtur 4-5 herë atje, bëra denoncimin, dokumentat, nuk kemi asnjë informacion deri tani. Asnjë sinjal, se është i gjallë, se është i vdekur, ai është evlati im. Kam tre fëmijë. Nuk kishte asnjë problem, asnjë shqetësim. Kur është nisur, që ka ikur, është parë në Durrës, ka çuar makinën te karburanti i Sukthit, e la 3-4 ditë atje, vete ia merr një shok dhe e ka çuar te shpia. Kishte makinën e tij djali”, shprehet i moshuari.
Më tej thotë se i biri kishte shokë në disa vende dhe kërkonte që t’ia kthenin në shtëpi, pasi ka 17 ditë pa gjumë.
“Ai ka shokë në çdo vend, në Memaliaj, Tepelenë, Durrës, kudo. Mund të jetë nonjë shok i mirë, por mund të jetë ndonjë që i futi thikën dhe hajt ta gjej. Këto dyja janë. Jemi shumë të shqetësuar. Kam 17 ditë pa gjumë, jam e i moshuar 73-74 vjeç, po ça të bëjmë. Djali është 30 vjeç, ishte pa punë, kur i dilte ndonjë punë shkonte. Kisha një kredi në shtet, ato po ia laj unë. Nuk e di, kush e pa tek e pa, vetëm Zoti e pa atë punë. Atij që e ka parë, shokut i them të ma sjellë djalin në shtëpi”, shprehet babai.