EKSKLUZIVE/ Goditet “Perandoria” shqiptare e kokainës, drejtohej nga “Kallashi” i Vlorës! Sekuestrohen 700 kg drogë nga laboratori në Athinë

Një nga operacionet më të mëdha antidrogë në rajon është finalizuar së fundmi, në një aksion të përbashkët mes autoriteteve greke, agjencisë amerikane DEA, Europol-it dhe autoritetet në Shqipëri, duke goditur një rrjet të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të kokainës me lidhje në Amerikën Latine, Shqipëri dhe Europë.

Replikë.al mëson ekskluzivisht se në periferi të Athinës, policia greke ka zbuluar një laborator të sofistikuar përpunimi të kokainës, i fshehur brenda një magazine industriale. Hetimet tregojnë se kokaina vinte nga vendet e Amerikës Latine, e fshehur në forma të sofistikuara, si në tekstile apo rroba, dhe më pas përpunohej nga kimistë të specializuar për të ndarë substancën narkotike nga materialet mbuluese. Kjo kërkonte procese të ndërlikuara kimike, të ngjashme me rastet e mëhershme si ai i laboratorit të famshëm të kokainës në lëkurën e gjedhit në Shqipëri.

Pas përpunimit, droga shpërndahej brenda territorit grek dhe më tej në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Autoritetet greke raportojnë se janë sekuestruar rreth 700 kilogramë kokainë, ndërkohë që janë arrestuar disa anëtarë të grupit, përfshirë kimistë, punëtorë, si dhe drejtues të lartë të rrjetit kriminal, të cilët sipas informacioneve të para janë shtetas shqiptarë.

Sipas të dhënave të mbledhura nga hetimi, Replikë.al mëson se grupi kriminal kishte lidhje të forta me grupe të krimit të organizuar në Shqipëri. Drejtuesit kryesorë të rrjetit janë identifikuar si shqiptarë me origjinë nga Vlora, ndërsa një prej tyre mbante pseudonimin “Kallashi”. Ky grup kishte ndërtuar një strukturë të mirëorganizuar që vepronte në disa nivele nga kontakti me kartelet e drogës në Amerikën Latine, te përpunimi dhe shpërndarja në territorin evropian.

Kujtojmë se më 16 nëntor 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) pati një goditje ndaj një rrjeti ndërkombëtar, në territorin shqiptar. Në një operacion të zhvilluar në fshatin Qerekë të Fushë Krujës, u zbulua një laborator i sofistikuar i përpunimit të kokainës, ku u arrestuan 10 persona – 7 shqiptarë, 2 venezuelianë dhe 1 kolumbian.Gjatë aksionit u sekuestruan sasi të konsiderueshme kokaine, substanca kimike, pajisje laboratorike, dhe mjete të posaçme për transport dhe fshehje të drogës. SPAK deklaroi se hetimet kanë zbuluar ambientet ndihmëse të rrjetit edhe në Tiranë dhe Durrës, të përdorura për ruajtjen dhe përgatitjen e ngarkesave të drogës.