Ekrem Imamoglu, në hetim për korrupsion, shpallet “Qytetar nderi” i Parisit: Franca i jep mbështetje rivalit më të fortë të Erdogan

Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, është shpallur “Qytetar nderi” i qytetit të Parisit, në një vendim unanim të Këshillit të Qytetit të kryeqytetit francez. Propozimi është bërë nga vetë kryebashkiakja Anne Hidalgo, e cila u shpreh se Imamoglu është “i penguar padrejtësisht nga përfaqësimi i partisë së tij” dhe “i privuar nga të drejtat themelore”.

Hidalgo theksoi se Parisi, si simbol i të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike, duhet të tregojë solidaritet me një figurë politike që sipas saj mishëron këto vlera në Turqi.

Kujtojmë se Imamoglu, një nga figurat më të forta të opozitës turke dhe anëtar i Partisë Popullore Republikane (CHP), është nën hetim nga autoritetet turke për korrupsion dhe bashkëpunim me një organizatë terroriste — akuza që janë interpretuar gjerësisht si të motivuara politikisht.

Partia e tij ka denoncuar këto veprime si një “grusht shteti politik” për të eliminuar një rival të rrezikshëm për Presidentin aktual, Recep Tayyip Erdogan. Imamoglu, nga ana tjetër, është zotuar të vazhdojë luftën politike dhe të mos tërhiqet, pavarësisht përballjes me drejtësinë turke.