Eklipsi i vitit 2027 do të “paralizojë” gjysmën e planetit! Gjashtë minuta errësirë në mes të ditës

Një fenomen qiellor i rrallë dhe spektakolar pritet të ndodhë më 2 gusht 2027, kur eklipsi më i madh total diellor i shekullit XXI do të errësojë për më shumë se 6 minuta një pjesë të madhe të globit në mes të ditës. Astronomët e konsiderojnë këtë eklips si më të gjatin që nga viti 1991 dhe më të rëndësishmin deri në vitin 2114.

Ky fenomen i jashtëzakonshëm do të zgjasë 6 minuta e 23 sekonda në kulmin e tij dhe do të jetë i dukshëm në shumë vende të botës përgjatë një rruge prej 15,000 kilometrash, që përfshin Oqeanin Atlantik, Mesdheun, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Lindore, përpara se hija të zhduket mbi Oqeanin Indian.

Ku do të jetë i dukshëm eklipsi?

  • Spanja (Cadiz, Malaga) dhe Maroku (Tangier, Tetouan): mbi 4 minuta errësirë totale
  • Libia dhe Bengazi: deri në 5 minuta
  • Egjipti (Luksor): kulmi i spektaklit, me 6 minuta e 23 sekonda errësirë të plotë
  • Gjithashtu i dukshëm në Arabinë Saudite, Jemen, Somali, si dhe në shumë pjesë të Europës, Azisë Perëndimore dhe Afrikës si eklips i pjesshëm

Pse ky eklips është kaq i gjatë?

Shpjegimi lidhet me një kombinim të rrallë astronomik:

  • Hëna do të jetë shumë pranë Tokës (perigjeu), duke e zgjatur hijen.
  • Toka do të jetë në distancën më të largët nga Dielli (afel), duke e zvogëluar dukshëm diametrin e Diellit.
  • Hija e Hënës do të kalojë në afërsi të ekuatorit, duke lëvizur më ngadalë mbi sipërfaqen e Tokës.

Këto kushte të favorshme do të lejojnë një kohëzgjatje maksimale dhe pamje të papërsëritshme të eklipsit.

Luksori, epiqendra botërore e spektaklit qiellor

Tempujt e lashtë egjiptianë, sidomos ato të Ramsesit II dhe Hatshepsutit, do të ofrojnë një sfond të mrekullueshëm për astronomë, turistë dhe kamera nga mbarë bota. Egjipti ka nisur përgatitjet për një transmetim televiziv global nga siti arkeologjik i Karnakut.

Po ashtu, Arabia Saudite po planifikon një program të veçantë astroturizmi në Al-Ula, ndërsa ICAO po shqyrton mundësinë e organizimit të fluturimeve çarter që do të ndjekin hijen e eklipsit në qiell.