Egnatia shkruan historinë, eliminon Vllazninë dhe kualifikohet në finalen e Kupës

Egnatia prek historinë dhe kalon në finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë.

Rrogozhinasit arritën që të thyenin 1-0 Vllazninë dhe t’i eliminonin shkodranët me rezultatin e përgjithshëm 2-1. Hero për skuadrën e Edlir Tetovës ishte braziliani Jackson, i cili shndërroi në gol një aksion të shokëve të skuadrës në minutën e 90-të të sfidës.

Një gol tepër i bukur dhe me mjaft peshë për skuadrën e Egnatias, që i jep fund ëndrrës së Vllaznisë për të mbrojtur titullin. Në fundin e sfidës, Egnatia iu afrua edhe golit të dytë, por shtylla pingule ndali festën e vendasve.

Rrogozhinasit kanë qënë një rival tepër i fortë për skuadrën shkodrane, pasi në këtë sezon janë takuar 6 herë, ku kanë fituar katër prej këtyre dueleve dhe barazuar në dy të tjerë. Në finalen e 1 qershorit, skuadra e Egnatias do të mas forcat me fituesin e çiftit, Teuta-Tirana, me bardheblutë të favorizuar pas fitores 3-0 në ndeshjen e parë.