Egli Tako flet për ndarjen nga Olsi Bylyku: Jam shëruar, kjo është një histori e mbyllur

Këngëtarja dhe banorja e “Big Brother VIP”, Egli Tako, ka folur për herë të parë publikisht për marrëdhënien e saj pesëvjeçare me aktorin e humorit Olsi Bylyku, një lidhje që mori fund dy vite më parë. Në një rrëfim të sinqertë, Egli shprehu mirënjohje për kohën që kanë kaluar bashkë, por theksoi se kjo histori është një kapitull i mbyllur për të.

“Nuk dëshiroj që askush të hyjë në detaje sentimentale apo të më përmendë këtë temë. Me gjithë respektin, i jam shumë mirënjohëse për kohën që kemi kaluar së bashku, por kjo histori ka dy vite që ka përfunduar dhe unë jam shëruar,” tha Egli gjatë një bisede.

Ajo theksoi se ndarja nuk është më një temë që e shqetëson dhe se është e qetë emocionalisht. “Kjo nuk është çështja më e madhe në Shqipëri. Çdokush ka një të kaluar dhe kjo është normale. Shpjegimet që kam dhënë janë deri aty ku mendoj se duhen dhënë. Tani kjo histori është e mbyllur,” u shpreh ajo.

Egli Tako u shpreh se e kupton interesin e publikut për marrëdhënien e tyre, duke qenë se ishte diçka publike, por ajo kërkoi që të mos i përmendet më kjo temë. “Nuk kam asnjë lloj tensioni, asnjë emocion të përfshirë në këtë histori. Jam e ftohtë dhe e qetë,” përfundoi këngëtarja.

Kjo deklaratë e Eglit duket se ka synuar të sqarojë të gjitha spekulimet që mund të kenë lindur lidhur me ndarjen e saj dhe të lërë pas një histori që për të ka përfunduar prej kohësh.