Egli Proga u vra ‘me dashje’ apo ‘nga pakujdesia’? Prokuroria e Korçës ia kalon ‘topin’ policisë: Aq prova solle! Gjykata ‘zhvishet’ nga përgjegjësia! ILD nis verifikimin

Vrasja e Egli Progës më 10 gusht në Pogradec po shkakton reagime të shumta. Institucionet e drejtësisë po i kalojnë njëri tjetrit ‘topin e përgjegjësisë’. Pak orë pas Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, deklaroi se vdekjen e babait të dy fëmijëve në prokurori e kishte referuar si ‘vrasje me dashje’ prokuroria e Korçës përmes një njoftimi për median nënvizon se vepra penale u kualifikua në bazë të materialeve që uniformat blu kishibn dërguar në prokurori. Më tej prokuroria shprehet e gatshme për të ndryshuar kualifikimin e veprës penale në një moment të dytë nëse po policia do të ketë prova të tjera.

“Nga aktet e para të administruara në dosje dyshimi krijohej për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal. Sqarojmë se, në momentin që materialet e policisë përcillen në Prokurori, prokurori i vlerëson ato dhe e regjistron procedimin për veprën penale që ka dyshim në atë moment dhe vetëm mbi provat e para që janë marrë. Nga provat që do të merren në vijim, do të bëhet edhe regjistrimi përfundimtar i veprës penale si dhe do të njoftohet akuza personave të pandehur’ informon prokuroria.

Në këtë përplasje reagimesh ka ndërhyrë edhe gjykata e Korçës e cila u zhvesh nga përgjegjësia duke ia kaluar topin prokurorisë pranë saj.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet lidhur me procedurat që janë ndjekur për hetimin e vrasjes së 42 vjeçarit. Mësohet se Inspektoriati ka kërkuar informacion Prokurorisë dhe Gjykatës së Korçës për të gjitha hapat që kanë ndjekur deri më tani.

Ajo që kërkojnë të zbardhin inspektorët është të verifikojë si u ndryshua akuza nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia” për autorin 29 vjeçar Denis Meçe dhe nëse ka pas këtij ndryshimi fshihen ndërhyrje të paligjshme apo jo.

Në këtë përplasje deklaratash ka ndërhyrë edhe kryeministri Edi Rama i cili e quan ‘rast tipik maskarade’ dhe çorbë e pistë’ kundër policisë dhe urgjencës.

Rama në një reagim të dytë lidhur me këtë ngjarje të bërë pasditen e sotme, thotë se  nuk ka pasur asnjëherë deklarata kontradiktore as për autorin I cili sipas prokurorisë është vetëdorëzuar por sipas policisë është arrestuar.

“Vetëdorëzimi sikundër e tregon qartë e gjithë dinamika e reagimit përkatës është rezultat i punës së policisë e jo një akt vullnetar nga hiçi i vrasësit” shkruan Rama.

Gjykata e Korçës ‘zhvishet’ nga përgjegjësia

Akuza e ngritur për autorin e dyshuar të vrasjes se egli proges në Pogradec ka shkaktuar reagime të shumta. Nga akuza që Policia e kishte referuar si vrasje me dashje, prokuroja e çështjes Vasjana Postol kërkoi masën arrest me burg dhe lehtesoi akuzen në vrasje nga pakujdesia.

Pas ‘lumit’ të reagimeve në opinion publik mbi akuzën vrasje nga pakujdesia, Gjykata e Korçës ia la përgjegjësinë Prokurorisë. Në një deklaratë për mediat, Gjykata e Korçës ‘zhvishet’ nga përgjegjësia duke thënë se gjyqtarja e Pogradecit, Luljeta Kolonja më datë 12 gusht la në fuqi masën dhe akuzën e kërkuar nga prokurorja e çështjes.

Gjykata merr në mbrojtje vendimin e Kolonjës, duke thënë se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe se në këtë fazë gjyqtari nuk mund të bëjë ndryshimin e veprës penale dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar. Kujtojmë këtu që tre personat e tjerë të arrestuar nën akuzën se fshehën ngjarjen janë lënë në masën detyrim paraqitje.

“Pasi ka vlerësuar kërkesën e prokurorisë dhe përmbajtjen e akteve të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës, duke e vlerësuar atë si të bazuar në ligj dhe në prova.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë nënvizon se në këtë fazë të procesit penal, në shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, gjyqtari i hetimeve paraprake nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale për të cilën procedohet personi nën hetim dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar”, thuhet në reagimin e Gjykatës.

Gjykata thekson se në fund të hetimeve, do jetë gjyqtari më pas që do të vlerësojë përgjegjësisë penale të secilit person të përfshirë në vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga. Ndërkohë, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet lidhur me procedurat që janë ndjekur për hetimin e vrasjes së Egli Progës. Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se ILD i ka kërkuar informacion Prokurorisë dhe Gjykatës së Korçës për të gjitha hapat që kanë ndjekur deri më tani.

Për ndryshimin e akuzës në vrasja nga pakujdesia reagoi sot edhe kryepolici Muhamet Rrumbullaku, duke theksuar se blutë ia referuan materialet Prokurorisë për akuzën vrasje me dashje. Ndërkohë, të pakuptimtë e quajti kryeministri Rama akuzën e ngritur nga Prokuroria, ndërsa kreu i PL, Ilir Meta kërkoi nisjen e hetimeve për drejtuesit që sipas tij tentuan të fshehin ngjarjen, por edhe hetime për Prokurorinë e Gjykatën.

Vepra penale që aktualisht akuzohet Denis Meçe për vrasje nga pakujdesia dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet, në ndryshim nga vepra penale që kishte referuar policia si vrasje me dashje që dënohet nga 10 deri në 20 vjet burg.

Ora 18:38
Vrasja e Egli Progës ‘nga pakujdesia’ Prokuroria e Korçës tregon pse u zbut akuza! ‘Topin’ ia kalon policisë: Aq prova sollët

1723653989_1723458852freffrefs.jpg
Prokuroria  e Korçës ka dalë me një deklaratë lidhur me ngjarjen e ndodhur më 10 gusht në Pogradec ku mbeti i vrarë Egli Proga ku shpjegon pse klasifikoi akuznë ‘vrasje nga pakujdesia”

Sipas prokurorisë akuza është ngritur në bazë të provave që janë përcjellë nga policia pranë Prokurorisë Korçë.

Ndër të tjera Prokuroria e Korçës thotë se ndryshimi në regjistër i veprës penale mund të kryhet në çdo moment nga Prokurori në bazë të provave që do të merren.

“Theksojmë që ende nuk është administruar në dosjen hetimore akti i ekspertimit mjekoligjor, provë thelbësore për ngjarjen, si dhe po punohet në lidhje me pamjet filmike. Gjithashtu nga Prokuroria po punon intensivisht për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe personat e pëfshirë dhe rolin e tyre”

Reagim i Prokurorisë Korçë në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 10.08 në Pogradec ku humbi jetën shtetasiEgli Proga.

Për të sqaruar opinionin publik dhe duke ju përgjigjur interesit të lartë të medias dhe shoqërisë civile në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 10.08.2024, ku shtetasi E.P., është gjetur pa shenja jete në qytetin e Pogradecit, Prokuroria e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë bën me dije se ka regjistruar procedimi penal nr.980 për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit D.M.

Nga materiali i referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, bëhet me dije se në datë 10.08.2024, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në afërsi të vendit të quajtuar “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjia nr.2 në Pogradec, është gjetur një shtetas i shtrirë pa ndjenja, i cili pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale, është identifikuar shtetasi E.P.
Menjëherë janë marrë deklarimet e shtetasit A.B., kushëriri i viktimës, i cili deklaroi se ka qënë në një largësi rreth 30 metra kur ka parë që një person ka qëlluar me grusht një person tjetër dhe ai u rrëzua në tokë. Ai deklaroi se nuk u afrua po pa që doli pronari i lokalit, shtetasi V. Sh. dhe i  ofroi ndihmë të dëmtuarit.

Po kështu, u morën deklarimet e shtetasit A.Sh., i pranishëm në ambjentet e brendshme të lokalit, i ulur në të njëjtën tavolinë me viktimën, i cili deklaroi se, kur ka ardhur viktima në lokal dukej në gjendje në dehur, fillimisht të dy me të dyshuarin po bënin shaka me njëri-tjetrin, dhe më pas viktima filloi të përdorte fjalë ofenduese ndaj të dyshuarit dhe ky i fundit i tha të dilnin pak jashtë të sqaroheshin. Ai deklaroi se pa nga xhami i lokalit që i dyshuari e goditi me grusht viktimën i cili ra fillimisht në anën e një makine dhe më pas në tokë.

U morën deklarimet e shtetasve V.Sh, A. M. dhe L. G. të cilët deklaruan se nuk e panë ngjarjen po shkuan pranë viktimës pasi dëgjuan të bërtitura. Gjithashtu u krye këqyrja e jashtme e viktimës, gjatë së cilës u konstatuan dëmtime në pjesën e fytyrës, në krahun dhe këmbën e majtë, por nuk përcaktohet shkaku i këtyre dëmtime, nëse është si rezultat i goditje me grushta, me sende të tjera, apo nga rrëzimi i trupit të lirë të viktimës në trotuar dhe mundësia e përplasjes ndërkohë me ndonjë send. Në lidhje me këtë çështje priten përgjigje nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Pasi u bë identifikimi i shtetasit D.M., si autor i dyshuar që dëmtoi shtetasin E. P., u kryen veprime operative dhe teknike të tjera me qëllim gjetjen e vendndodhjes së tij, deri në momentin që ai u paraqit vetë pranë Komisariatit të Policisë Pogradec.

Në deklarimin e tij, shtetasi D. M., shprehet se nuk ka patur si qëllim vrasjen e shtetasit E.P., ka tentuar ta godasë, por nuk e ka goditur, pasi ai është rrëzuar direkt vetë në tokë. Më pas i çorientuar është larguar. Këto janë provat që janë përcjellë nga policia pranë Prokurorisë Korçë.

Në bazë të nenit 244 të K.Pr.Penale, seanca e zhvilluar nga gjykata ka qënë për vleftësimin e arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal për shtetasit nën hetim, seancë gjatë së cilës vleftësohet nevoja për caktimin e një mase sigurimi ndaj personit, për të siguruar që nuk do të prishë provat, nuk do të largohet, apo nuk do të kryeje vepra të tjera penale.

Në këto kushte, ndaj shtetasit D. M., që nga provat e deritanishme rezulton autor i ngjarjes, u kërkua dhe caktua masa e sigurimit ‘arrest në burg’. Ndërsa për personat e tjerë të arrestuar për moskallëzim krimi (vepër e dënueshme deri në 3 vjet burgim), në kushtet kur provat kanë qënë të pakta në ngarkim të tyre, u caktua masa e sigurimit detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.

Në rastin konkret, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, po kryhen ende veprime hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, veprimeve të ndërmarra ndaj viktimës, nga çdo person që mund të ketë qënë i përfshirë, që mund të jenë edhe persona të tjerë nga ata që janë referuar nga Policia.

Nga Prokuroria do të merren të gjitha provat e nevojshme për të konkluduar me akuzë ndaj shtetasve nën hetim të cilët do të merren si të pandehur, për vepra penale që mund të jenë të ndryshme nga ato për të cilat është regjistruar procedimi penal. Ndryshimi në regjistër i veprës penale mund të kryhet në çdo moment nga Prokurori në bazë të provave që do të merren. Theksojmë që ende nuk është administruar në dosjen hetimore akti i ekspertimit mjekoligjor, provë thelbësore për ngjarjen, si dhe po punohet në lidhje me pamjet filmike. Gjithashtu nga Prokuroria po punon intensivisht për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe personat e pëfshirë dhe rolin e tyre.

Nga Prokuroria fillimisht është regjistruar procedimi për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal, kjo edhe në referim të praktikës gjyqësore në raste të ngjashme, duke vlerësuar që nga materialet e referuara nga policia, goditja me grusht (siç ka rezultuar nga dëshmitë, autori i dyshuar e ka goditur vetëm një herë me grusht viktimën), nuk tregon vullnetin e viktimës për të vrarë një person, përndryshe prej tij do të ishte zgjedhur me shumë mundësi një send tjetër për të realizuar qëllimin e tij kriminal, por vetëm për ta dëmtuar atë, ndërsa vrasja me dashje kërkon qëllimin e viktimës për ta vrarë personin, duke marrë edhe sendet e nevojshme per ta realizuar qëllimin e tij.

Nga aktet e para të administruara në dosje dyshimi krijohej për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal. Sqarojmë se, në momentin që materialet e policisë përcillen në Prokurori, prokurori i vlerëson ato dhe e regjistron procedimin për veprën penale që ka dyshim në atë moment dhe vetëm mbi provat e para që janë marrë.

Nga provat që do të merren në vijim, do të bëhet edhe regjistrimi përfundimtar i veprës penale si dhe do të njoftohet akuza personave të pandehur.