Fituesja e “Big Brother VIP 3”, Egla Ceno, ka tërhequr vëmendjen me një postim në rrjetet sociale, ku ndau kujtime nga një projekt i saj i vjetër. Ajo kujtoi bashkëpunimin me aktorin Elvis Pupa në miniserialin “Më fal për shprehjen”, një produksion i platformës Digitalb, ku ajo luante rolin e bashkëshortes së Pupës.
Në postim, Ceno shkruan:
“Rrjetet sociale më kujtojnë që në 2016-tën luaja si gruaja e Vis Pupës në ‘Më fal për shprehjen’. Sinqerisht kam nostalgji për punë të tilla. Në foto ishte dita e burrit dhe gruas në SPA… torturë e vërtetë për të shkretin. S’ka mo… gjen tenxherja kapakun gjithmonë.”
Kjo frazë u interpretua si një thumbim ndaj projektit më të fundit të Elvana Gjatës dhe Romeo Veshajt, “Tenxherja kapakun”, i cili duket se nuk ka fituar pëlqimin e Cenos. Këtë e tregoi edhe një koment i ndjekësit të saj, ku dy protagonistët cilësohen si njerëz që “nuk kanë pikë emocioni në transmetim”. Ceno e pëlqeu këtë koment, duke lënë të kuptohet se ndan të njëjtin mendim.
Ky veprim i aktores ka nxitur diskutime në rrjet, ku shumë kanë interpretuar se ajo ka kritikuar indirekt projektin dhe performancën e dy protagonistëve. Përndryshe, aktorja shfaqet nostalgjike për projektet e saj të mëparshme, duke ndarë me ndjekësit një episod të veçantë nga karriera e saj artistike.
Pritet të shihet nëse komentet e saj do të marrin ndonjë përgjigje nga të përfshirët në “Tenxherja kapakun”.