Efektivi i Policisë përfshihet në konflikt dhe kanos me armë dy persona, arrestohet nga AMP

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë një efektiv policie, i identifikuar si E. Z., me detyrë Ndihmës Specialist në Komisariatin e Policisë Rinas, pas përfshirjes së tij në një konflikt me armë në Fushë Krujë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 4 prillit, rreth orës 22:00, pranë një parkimi në këtë qytet, ku E. Z. është përfshirë në një përplasje fizike për motive të dobëta me dy shtetas, A. H. dhe O. H., të cilët më pas i ka kanosur me armë zjarri.

Në vendin e ngjarjes, shërbimet e AMP-së sekuestruan një gëzhojë me kapsollë të goditur dhe një objekt metalik të deformuar të ngjashëm me një predhë. Gjithashtu, gjatë hetimeve paraprake, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip Glock 17 me 12 fishekë.

Efektivi i policisë ndodhet tashmë në pranga dhe po përballet me akuzat për “Kanosje” dhe “Shpërdorim detyre”. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.