Edison Memolla reagon pas dënimit me 1 vit burg: Vendimi i pabazuar në prova, do ta apeloj! Vijoj detyrën si kryetar i Bashkisë Rrogozhinë

Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila e dënoi me 1 vit burg dhe i hoqi të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite. Në një deklaratë të publikuar në Facebook, Memolla e cilëson vendimin të pabazuar në prova dhe ka bërë të ditur se do ta apelojë.

Memolla ka theksuar se është i hapur për të pranuar drejtësinë, por thekson se deri në një vendim të formës së prerë, do të vijojë të ushtrojë detyrën si kryetar i Bashkisë Rrogozhinë.

“Vendimi nuk mbështetet në prova dhe fakte”
“Që kur më është besuar detyra si përfaqësues i popullit tim, e kam kuptuar peshën dhe përgjegjësinë që sjell ky post. E kam mbështetur fuqimisht drejtësinë e re dhe jam i hapur të pranoj çdo vendim të dhënë kundrejt meje, por kjo nuk më pengon të apeloj një vendim që nuk është aspak i mbështetur në prova dhe fakte,” shkruan Memolla.

Ai falënderon qytetarët që e kanë mbështetur gjatë kësaj situate të vështirë, duke e konsideruar të pafajshëm.

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Edison Memolla ka ndikuar në mënyrë të paligjshme gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit 2022. Ai dyshohet se ka bashkëpunuar me Blerim Xhamanin, një elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, në këmbim të votës në favor të tij. Për më tepër, SPAK e akuzon Memollën për ndërhyrje në punësime në Bashkinë Rrogozhinë, gjithashtu në këmbim të votave.