Edi Rama vendos kufirin për drejtimin e PS? Kryeministri lë të hapur largimin pas 2030

Kryeministri Edi Rama ka lënë të kuptohet se pas vitit 2030 mund të mos jetë më në krye të Partisë Socialiste. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rubrikën “Sy m’Sy”, Rama theksoi se pavarësia e institucioneve të drejtësisë është e lidhur me vullnetin e PS-së dhe se kjo parti nuk do ta braktisë reformën në drejtësi.

“Jini të sigurt që drejtësi që i shërben pushtetit të radhës nuk do të ketë, sa kohë që PS do të jetë në pushtet, me mua në krye, ose pas 2030 me këdo tjetër që do të marrë stafetën, kur ne të jemi anëtarë të BE,” – deklaroi Rama.

Ky është një nga rastet e rralla kur kreu i qeverisë lë të hapur një tërheqje të mundshme nga drejtimi i Partisë Socialiste, duke e lidhur këtë me përmbushjen e objektivit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.