Edi Rama: Shqipëria e së ardhmes do të jetë si Italia, kushdo që e njeh Giorgia Melonin nuk mund të mos ketë një marrëdhënie të mirë

Shqipëria e së ardhmes do të jetë si Italia!  Kështu u shpreh kryeministri i vendit, Edi Rama në një intervistë të dhënë për median italiane “La7”.

“Kur më pyesin si do të jetë Shqipëria e së ardhmes, u them të shikojnë Italinë. Kjo është Shqipëria e së ardhmes”, i tha Rama gazetarit Federico Marconi.

Teksa u pyet për raportet që ka me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Rama u shpreh se kushdo që njeh atë nuk mund të mos ketë një marrëdhënie të mirë me të. Kryeministri  shqiptar e përshkroi homologen italiane si “një person shumë real dhe i drejtpërdrejtë”.

“Kushdo që e njeh Giorgia Melonin nuk mund të mos ketë një marrëdhënie të mirë me të, ajo është një person shumë real dhe i drejtpërdrejtë. Nuk ka rëndësi se kryeministri është i djathtë, i majtë apo demokristian. Është vendi më afër nesh. Për mua ideologjitë kanë vdekur kur ka rënë muri i Berlinit”,theksoi Rama.

Gjatë intervistës në mediat italiane, Rama u ndal edhe tek një çështje tjetër shumë e diskutuar siç është marrëveshja me Italinë për emigrantë.

“Shqipëria nuk ka asnjë kosto mbi operacionin që Italia do të zhvillojë në Shqipëri për emigrantët. Shqipëria nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore. Shqipëria i ka dhënë përgjegjësinë të shërbejë në një territor, që do të menaxhohet tërësisht nga Italia”, shtoi ai.

Ai sqaroi se Shqipëria nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për kampin e refugjatëve, i cili do të ngrihet në Gjadër të Lezhës, duke theksuar se e gjithë kostoja e projektit është e qeverisë së Italisë.

Të enjten, kryeministri shqiptar në një intervistë për Euronews u shpreh se marrëveshja për emigrantët është “ekskluzive vetëm më Italinë” dhe se vendi ynë nuk do pranojë kërkesa që mund të bëhen nga vende të tjera.

“Kjo është një marrëveshje ekskluzive me Italinë, sepse ne i duam të gjithë, por me Italinë kemi dashuri të pakushtëzuar”, tha Rama duke folur të enjten në Parlamentin Europian.

Paralajmërimi i tij i përsëritur vjen disa ditë pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se homologu i saj britanik Keir Starmer kishte shprehur “interesim të madh” për skemën.

Shqipëria po ofron një zgjidhje pragmatike, shpjegoi Rama.

“Ne vendosëm ta bëjmë këtë marrëveshje emigracioni bazuar në ndjenjën e përgjegjësisë si fqinjë, si evropianë,” tha ai, ndërsa shtoi “Sigurisht që është më mirë sesa thjesht të luftosh ideologjikisht për këtë çështje dhe të mos bësh asgjë”.

Check Also

Tentoi të rrëmbente vajzën e vogël dhe doli jashtë marketit/ Policia identifikon gruan: Vuan nga probleme të shëndetit mendor

Policia e Tiranës ka reaguar, në lidhje me një ngjarje të ndodhur disa ditë më …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *