Edhe shkollat do të monitorohen me kamera/ Rama: Do ta formësojmë vitin e ardhshëm

Jo vetëm rrugët, por edhe edhe shkollat do të jenë nën monitorim të rreptë të kamerave. Detajet e këtij projekti që pritet që vitin tjetër të çohet përpara e bëri të ditur kryeministri Edi Rama sot  në ambientet e shkollës “Babë Dudë Karbunara”, një shkollë simbol në qytetin e Beratit, që është një nga 25 shkollat e reja që hapën dyert sot në të gjithë vendin.

“Siguria është rritur por mbetet një problem, në formën e shqetësimit për prindin. Një projekt që po e çojmë përpara dhe do ta formësojmë vitin e ardhshëm do të bëjmë një kapërcim epokal në monitorimin e sigurisë së rrugëve e qyteteve, është përfshirë dhe monitorimi i sigurisë në shkollë. Një monitorim që do të shkojë deri në qelizë. Do I japë mundësi drejtuesve të shkollës, prindërve e fëmijëve të ndihen të qetë dhe secili të bëjë detyrën e vet. Nuk është thjesht një projekt sigurie për fenomenet kriminale apo ndërhyrje nga jashtë, por një projekt sigurie kundër bullizmit, kopjeve apo kundër braktisjes së mësimit, apo kundër kthimit kurrizit të ndonjë mësuesi nga nxënësit” tha Rama.

Jo vetëm kaq. Një nga prioritetet e qeverisë për të cilën po punohet fort është dhe mbrojtja e gjuhës shqipe. Në kohën ku sot jetojmë gjuha shqipe po kërcënohet nga komunikimi me shkurtime, braktisja e të lexuarit dhe të shkruarit me dorë.