“Edhe në spital fëmijët do bëjnë mësim”/ Rama për masat e reja: Do ketë ferma në shkollë, domaten nuk e nxjerr TikTok-u

Nga takimi i zhvilluar me prindër e mësues ku prezantoi planin e ri për sigurinë në shkolla, Kryeministri Edi Rama tha se po punohet edhe për një program që edhe fëmijët e shtruar në spital të bëjnë mësim.

Rama tha se po punohet edhe për planin e fermës në shkolla, ku siç tha ai, fëmijët do të mësojnë se ‘domaten nuk e prodhon TikTok-u’.

“Ndërkohë që ajo çka është e rëndësishme të dihet është që ne po e shtrijmë punën për fëmijët edhe në institucionet e tjera, jashtë gjithë asaj që u diskutua dhe do e kthejmë në një sistem pune e financimi, që çdo institucion në Shqipëri duhet të ketë programin e vetë për fëmijët. Ne ndërkohë jemi duke ndërtuar në spitalin pediatrik një program për të çuar shkollën te fëmijët. Pra fëmijët në spital të kenë mundësinë për të bërë shkollë, që është një model i shkëlqyer i marrë nga Izraeli dhe që po e përgatisim me miqtë nga Izraeli. Po përgatisim institutin e fëmijëve në konflikt me ligjin, një institut që është një model europian, një model i shekullit të ri, një model i shkollës së riedukimit, për të gjithë ata fëmijë që kanë kryer një vepër, që nëse s’do të ishin minoren, do të ishin në burg. Ky institut është një projekt, ashtu si kundër programi i fermës në shkollë që e kemi nisur. Duhet të bëhet dhe do të bëhet një program i Ministrisë së Bujqësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, që është një program i prodhimit dhe shitjes së produkteve, që fëmijët të kuptojnë që domatja nuk prodhohet në TikTok.