Edhe investimet “ikin” jashtë, arrijnë nivelin më të lartë që prej 2009-s

Në 2022, investimet shqiptare jashtë vendit shënuan vlerën më të lartë që prej vitit 2009.

Të dhënat e Bilancit të Pagesave tregojnë se jo vetëm Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri po shënojnë vlera rekord, por një tendencë të dukshme në rritje shfaqin edhe investimet shqiptare jashtë vendit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2022, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit arriti në 166 milionë euro, pothuajse katër herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në pjesën dërrmuese, investimet shqiptare janë kanalizuar në kontribute direkte në kapitalin e shoqërive të kontrolluara jashtë vendit, qoftë nëpërmjet flukseve të reja të kapitalit apo fitimeve të riinvestuara. Një pjesë më e vogël e investimeve konsiston hua të dhëna për kompanitë bija jashtë vendit

Investimet direkte dalëse sidoqoftë kanë ende një peshë të ulët në raport me investimet e huaja hyrëse në Shqipëri, me rreth 12% të tyre. Bilanci neto i investimeve të huaja direkte ishte negativ (investimet hyrëse tejkalojnë ndjeshëm ato dalëse), për një vlerë të përgjithshme prej 1.2 miliardë eurosh, në rritje me 21.8% krahasuar me vitin 2021.

Informacioni statistikor për investimet e sipërmarrjes tonë jashtë vendit kufizohen vetëm në të dhënat e Bilancit të Pagesave dhe nuk ekzistojnë të dhëna më të detajuara për shpërndarjen e tyre gjeografike apo sektoriale. Mund të vlerësohet se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të lidhura me investimet në pasuri të paluajtshme.

Megjithatë, të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës japin një informacion për investimet shqiptare në Kosovë, që vlerësohet se është shteti me përqendrimin më të madh të investimeve shqiptare.

Shifrat e BQK-së tregojnë se deri në fund të shtatorit 2022, stoku i investimeve shqiptare në Kosovë kishte vlerën e 309 milionë eurove.

Me këtë shifër, Shqipëria është investitori i gjashtë më i madh në Kosovë. Ndërkohë, flukset e reja të investimeve shqiptare në Kosovë për të gjithë vitin 2022 kishin vlerën e 79.7 milionë eurove, në rritje me 58% krahasuar me vitin 2021.

Prania e ndërmarrjeve shqiptare në Kosovë është e përqendruar kryesisht në sektorin tregtar dhe atë financiar.

Në Kosovë veprojnë disa prej operatorëve më të mëdhenj shqiptarë të distribucionit të mallrave të konsumit, kompani të shitjes me pakicë, si edhe banka, kompani sigurimesh dhe operatorë të shërbimeve të pagesave.

Disa prej kompanive kryesore shqiptare që kanë aktivitet në tregun Kosovar janë Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins, Eurosig, UFT, Tobacco Holding Group, Marketing& Distribution, Neptun, Kid Zone (Jumbo), etj.

Përveç Kosovës, të dhënat zyrtare për praninë e sipërmarrjes shqiptare jashtë vendit janë të pakta. Megjithatë, disa prej grupeve të mëdha të biznesit në vend, si Balfin apo Union Financiar Tiranë kanë prani të tyre edhe në Austri, Zvicër, Kroaci apo Maqedoninë e Veriut.

Investimet e jashtme të grupit Balfin janë të përqendruara kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, ndërsa ato të Union Group në sektorin e shërbimeve financiare./E.Shehu

Burimi: Banka e Shqipërisë/ Monitor