Edhe diaspora zgjedh PS, si ndahen votat

Edhe pse erdhi e para, vota e diasporës po numërohet e fundit. Pjesa më e madhe e votave të tyre deri më tani ka shkuar për Partinë Socialiste, e cila ka marrë më shumë se 78 mijë vota, ose rreth 54% të totalit të votave që erdhën nga jashtë.

Deri pasditen e së premtes ishin numëruar dhe vlerësuar mbi 145 mijë fletë votimi (74%) nga totali i tyre prej 194.889 fletësh. Mbeten pa numëruar rreth 50 mijë zarfe të ardhura nga Greqia, të cilat janë lënë më vete, për shkak të pretendimeve që lindën nga demokratët për votat e ardhura nga ky shtet.I gjithë ky ngërç u shkaktua nga dyshimi se votat që vijnë manipuluar votat e emigrantëve në Greqi dhe zarfet e ardhura nuk janë plotësuar realisht prej tyre, por nga militantë të Partisë Socialiste.

Më 13 maj Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) pranoi ankesën e Partisë Socialiste (PS) për shpalljen e pavlefshme të vendimit të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi që diferencoi votat e Greqisë, gjatë numërimit të votës së diasporës.

Ky vendim i KAS-it nuk u zbatua deri pasditen e së premtes kur Celibashi lajmëroi zhbllokimin e procesit dhe vijimin e numërimit edhe të votave të Greqisë të shtunën, vendim i cili do të sjellë edhe rezultatin final të këtyre zgjedhjeve.

Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) renditet e dyta për nga sasia e votave nga jashtë kufijve, me rreth 40 mijë e 600 vota (28%) të totalit; Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet e treta për nga votat e marra me 11 mijë e 700 mijë; e katërta listohet Partia Mundësia me mbi 5 mijë vota, rreth 3.73%.

Partitë, të cilat kanë marrë më shumë vota nga diaspora, janë ato të cilat kanë kryer më shumë takimet jashtë vendit me emigrantët.

Kujtojmë këtu PS-në, e cila realizoi mitingje të fryra në Londër, Athinë, Milano etj. Njëjtë edhe Shqipëria Bëhet ka konfirmuar më herët për Citizens 17 takime jashtë vendit gjatë fushatës elektorale, “Mundësia” një konventë në Bresica të Italisë dhe një të tillë në Londër.