Ecuria e çmendur në Champions League, Milan e Inter ‘boom’ fitimesh nga UEFA

Kualifikimi në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve i Milanit dhe Interit bëri jo vetëm tifozët respektivë të festojnë, por edhe arkat e klubeve.

Drejtuesit po fërkojnë duart duke parë llogaritë të fryhen pas arkëtimeve të deritanishme që duhen thënë se kanë qenë të pallogaritura në bilancin në nisje të sezonit. Kalimi historik i turit nga ana e Milanit, i cili duke mposhtur Napolin rikthehet në gjysmëfinale 16 vite pas herës së fundit, sjell disa miliona euro në arkat e kuqezinjve, ku do të hyjnë edhe 12.5 milionë të tjera nga UEFA për mbërritjen në këtë fazë.

Një rrugë e rëndësishme sportive dhe ekonomike, pa gjobën prej 2 milionë eurosh të lidhur me “Fair Play” Financiar, i sjell Milanit 83.9 milionë në total vetëm nga çmimet UEFA për rrugëtimin e deritanishëm. Këtyre shifrave do t’u shtohen arkëtimet e ardhura nga shitja e biletave, për një total prej rreth 32.1 milionë euro. Në rast kalimi kuqezinjtë do fitonin 160 mln euro, ndërsa në të kundërt do të dalë me të paktën 120 milionë euro.

Interi kualifikohet në gjysmëfinale 13 vjet pas herës së fundit dhe falë çmimeve që jep UEFA mes renditjes historike, të drejtave televizive, deri në përfundimin e çerekfinaleve zikaltrit kanë arkëtuar 68 milionë euro, një shifër së cilës do t’i shtohen edhe 12.5 milionë eurot për kalimin në gjysmëfinale.

Nga ana tjetër shuma nuk do të ngelet me kaq, sepse në llogaritë e Interit kanë shkuar edhe të ardhurat nga shitjet e biletave. “San Siro” pritet të “prodhojë” në fund të gjysmëfinaleve rreth 35 milionë euro, duke i dërguar në 115 milionë euro fitimet e zikaltërve në përfundim të kësaj faze.