“E trishtë që Biden nuk fali veten”/ Trump jep intervistën e parë si president: Nga emigracioni te TikTok, deklaratat që ngjallën reagime

Presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump, ka dhënë intervistën e tij të parë pas marrjes së detyrës, ku përsëriti angazhimet e tij për të ndryshuar drejtimin e politikave amerikane, duke vënë theksin kryesor te emigracioni, siguria kombëtare dhe marrëdhëniet me Kinën.

Në një intervistë për “Fox News,” Trump siguroi se do të dëbojë miliona emigrantë pa dokumente nga SHBA, duke pretenduar se shumë prej tyre përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare. Ai deklaroi se “mijëra terroristë” janë në SHBA për shkak të politikave të mëparshme të emigracionit, duke shtuar se vende si Venezuela kanë dërguar kriminelë në SHBA. “Do ta zgjidhim këtë çështje,” tha Trump me vendosmëri.

Forca të reja në kufirin me Meksikën

Pak para intervistës, zëdhënësja e presidencës amerikane, Caroline Leavitt, njoftoi se Trump kishte nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të dërguar 1,500 trupa shtesë në kufirin me Meksikën. Këto forca do të bashkohen me më shumë se 2,000 ushtarët tashmë të pranishëm në kufirin jugor të SHBA-së.

“E trishtueshme që Biden nuk fali veten”

Trump komentoi edhe mbi veprimet e paraardhësit të tij, Joe Biden, duke përmendur faljet presidenciale që ai i kishte dhënë disa anëtarëve të familjes dhe zyrtarëve publikë. “E trishtueshme që ai nuk fali veten,” tha Trump me ironi.

Kur u pyet nëse Kongresi duhet të nisë një hetim ndaj Bidenit, Trump preferoi të qëndronte neutral, duke thënë: “Unë mendoj se do ta lë Kongresin të vendosë.”

Kritika ndaj FEMA dhe situata në Kaliforni

Presidenti Trump u ndal edhe te zjarret që kanë përfshirë Los Anxhelosin, duke kritikuar Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA). “FEMA nuk ka bërë punën e saj për katër vitet e fundit,” tha ai, duke lënë të kuptohet se po shqyrton eliminimin e kësaj agjencie. Trump shtoi se preferon që shtetet të merren me problemet e tyre emergjente.

Ai kritikoi edhe guvernatorin demokrat të Kalifornisë, Gavin Newsom, për mënyrën se si po menaxhohen zjarret në shtetin e tij.

TikTok dhe Kina

Lidhur me shqetësimet për TikTok, Trump hodhi poshtë idenë se platforma është një rrezik për sigurinë kombëtare. “A është kaq e rëndësishme që Kina të spiunojë të rinjtë? Po flasim për fëmijë që shikojnë video të çmendura,” tha Trump me humor.

Megjithatë, gazetari e kundërshtoi duke e quajtur TikTok një “aplikacion spiun për kinezët komunistë,” ndërsa Trump vuri në dukje faktin se shumë produkte amerikane prodhohen në Kinë. “Shiko telefonat, ne i kemi prodhuar kryesisht në Kinë. Ka kaq shumë gjëra që vijnë nga Kina, kështu që pse të mos flasim për to?” përfundoi ai.

Kjo intervistë e parë e presidentit Trump ka nxitur debate dhe reagime në mbarë vendin, ndërsa administrata e re ka nisur të implementojë politikat e saj me hapa të shpejtë.