“E shtuna e përgjakur” në Zërin e Amerikës dhe rrjetet e tjera, reagime pas urdhrit ekzekutiv të Trump! “Ditari” nuk transmetohet më për shqipfolësit

Programi televiziv “Ditari” i Zërit të Amerikës, i cili transmetohej çdo ditë për publikun shqipfolës, nuk u shfaq këtë të shtunë dhe nuk do të transmetohet më. Kjo ndodhi pas urdhrit ekzekutiv të presidentit Donald Trump për ndërprerjen e fondeve për Zërin e Amerikës dhe gjashtë agjenci të tjera federale.

Ish-drejtori i rajonit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj, reagoi ashpër ndaj vendimit, duke e cilësuar atë si një goditje të madhe për imazhin e SHBA-së dhe përpjekjet e saj për promovimin e vlerave demokratike.

“Vendimi për të çmontuar një nga pasuritë më të mëdha kombëtare të Amerikës do të shkaktojë dëm të thellë në interesat e saj globale – dëm që asnjë kundërshtar nuk mund ta arrijë kurrë,” shkroi Biberaj.

Sipas Reuters, punonjës të shumtë të Zërit të Amerikës kanë marrë një email ku u kërkohet të marrin leje administrative me pagesë dhe përfitime të plota deri në një njoftim të dytë. Në të njëjtën kohë, Agjencia Amerikane për Media Globale (USAGM), organizata mëmë e Zërit të Amerikës, ka ndaluar punonjësit të hyjnë në ambientet e punës dhe sistemet e brendshme.

Shkurtimet prekën gjithashtu Radion Evropa e Lirë dhe Radion e Azisë së Lirë, të cilat transmetojnë për vende si Rusia, Ukraina, Kina dhe Koreja e Veriut.

Gazetari David Folkenflik e cilësoi këtë si një “të shtunë të përgjakshme” për Zërin e Amerikës dhe rrjetet e tjera, duke thënë se ky vendim i jep një fitore kundërshtarëve të SHBA-së. “Ajatollahët iranianë, udhëheqësit komunistë kinezë dhe autokratët në Moskë e Minsk do të festonin vdekjen e Radios Evropa e Lirë,” shkroi ai.