E rrëzoi qëllimisht piloti avionin e Air India? Pista e re e hetimit ngre dyshime të forta pas tragjedisë me 270 viktima

Një pistë tronditëse hetimi është hapur pas rrëzimit fatal të avionit Boeing 787 Dreamliner të kompanisë Air India, ku humbën jetën 242 persona në bord dhe 28 të tjerë në tokë, si pasojë e përplasjes në ndërtesat pranë pistës. Autoritetet hetuese po shqyrtojnë seriozisht mundësinë që ngjarja të ketë qenë një akt i qëllimshëm nga piloti.

Në qendër të dyshimeve është kapiteni Sumeet Sabharëal, një pilot me përvojë të gjatë – mbi 8,000 orë fluturimi – i cili ishte vetëm pak muaj larg daljes në pension. Pavarësisht se në momentin e ngritjes ishte vlerësuar si “plotësisht i aftë për të fluturuar”, burime brenda kompanisë kanë konfirmuar se Sabharëal po përjetonte vështirësi të rënda psikologjike, veçanërisht pas vdekjes së nënës së tij.

Eksperti indian i aviacionit, kapiteni Mohan Ranganathan, i tha “The Daily Mail” se disa pilotë të Air India e kanë përmendur gjendjen jo të qëndrueshme emocionale të Sabharëal, duke përmendur se ai ishte larguar nga fluturimi për 3–4 vite, me arsye mjekësore. Madje, thuhet se kapiteni po mendonte të dilte në pension të parakohshëm, për t’u kujdesur për të atin 90-vjeçar.