E rrëmbyen, vranë dhe hodhën në liqen! Autorët “rrëfejnë” ekzekutimin e Renis Dobrës në Shkopet
Janë marrë në pyetje dy të arrestuarit kryesorë në lidhje me vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobre: Fation Bushgjokaj dhe Petrit Çakrri (i njohur edhe si Hoxha). Të dy kanë dhënë dëshmitë e tyre para hetuesve, duke hedhur dritë mbi detaje të reja të hetimit.
Fation Bushgjokaj, 34 vjeç, ka pranuar se e kishte njohur viktimën në Gjermani, ku kishin bashkëpunuar në aktivitet të paligjshëm të trafikut të lëndëve narkotike. Megjithatë, ai ka mohuar çdo përfshirje në vrasjen e Dobres, duke theksuar se, ndonëse mes tyre kishte pasur konflikte dhe përplasje të mëparshme, ai nuk ka asnjë lidhje me krimin.
Nga ana tjetër, Petrit Çakrri, 55 vjeç, ka deklaruar se ditën e ngjarjes ndodhej në zonën e krimit, por ka mohuar të ketë njohur personalisht Renis Dobren dhe të ketë dijeni për vrasjen. Sipas tij, lidhja e vetme me rastin është njohja me Kristi Bushgjokajn, vëllai i Fationit, aktualisht në kërkim nga policia.
Çakrri ka rrëfyer se e kishte njohur Kristin në burg dhe se ishte ftuar prej tij për të kërkuar një sasi droge në disa fshatra. Ai ka treguar se gjatë udhëtimit janë ndarë në dy makina, dhe lëvizjet e përshkruara prej tij përputhen me pamjet e kamerave të sigurisë që janë sekuestruar nga policia. Megjithatë, ai këmbëngul se nuk është përfshirë në krim dhe se lajmin për vrasjen e kishte marrë vesh nga mediat.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa policia është në kërkim të Kristi Bushgjokajt, i dyshuari kryesor që mund të hedhë më shumë dritë mbi ngjarjen e rëndë
View this post on Instagram
Rrëmbimi i Renis Dobrës ishte planifikuar pesë ditë para ngjarjes
Hetimet kanë zbuluar se rrëmbimi i 23-vjeçarit Renis Dobra ishte planifikuar rreth pesë ditë përpara se të ndodhte ngjarja tragjike.
1. Më datë 5 korrik, në Rinas është marrë me qira një makinë nga i kërkuari Aleksandër Bushgjoka. Kjo makinë është kthyer më datë 7 korrik nga Fatjon Bushgjoka, dhe jo nga Aleksandri.
2. Po atë ditë, Fatjoni ka marrë me qira në të njëjtin vend një makinë tip Range Rover, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e krimit.
3. Nga ana tjetër, Petrit Çakri ka marrë me qira një makinë tjetër, tip Hyundai.
5. Makina e marrë nga Fatjon Bushgjoka është kthyer më 10 korrik, dy ditë pas rrëmbimit. Në momentin e dorëzimit të mjetit, ka pasur një debat mes tij dhe pronarit të makinave me qira në Rinas, pasi dyshohet se është tentuar heqja e GPS-it të mjetit.
5. Hetuesit kanë identifikuar dy dëshmitarë: një në Shkopet, që ka parë parakalime të dyshimta, dhe një tjetër në Zenisht.
6. Tre orë para ngjarjes, autorët e dyshuar janë parë në një lokal, ku dyshohet se kanë vezhguar viktimën Renis Dobra.
Dëshmia e Fatjon Bushgjokës:
“E njoh të riun, por nuk kam lidhje me vrasjen e tij. E kam njohur në Gjermani, kemi shitur drogë bashkë. Kemi pasur sherre për punë të pista.”
Dëshmia e Petrit Çakrit:
“Unë pranoj që kam qenë në Burrel, bashkë me vëllezërit Bushgjoka. Por nuk dija asgjë për atë që do të ndodhte. Ata më thanë se do të gjenim drogë në Madhesh të Burrelit. Me çunat, me njërin kisha njohje — kam bërë burg me Kristin. Kam mbaruar dënimin rreth muajit prill dhe kam mbajtur kontakte me Kristi Bushgjokën. Unë isha në makinën tjetër dhe nuk më treguan asgjë. Nuk di çfarë ndodhi me djalin, e pashë në lajme që ishte vrarë. Ata më thanë: ‘Ik’.”
View this post on Instagram
Si ndodhi ngjarja?
Renis Dobra ndodhej rrugës për në shtëpi dhe ishte vetëm 5 minuta larg banesës kur u rrëmbye nga autorët. Ai u dhunua barbarisht, më pas u mbyt me litar, dhe trupi i tij bashkë me makinën u hodhën në liqenin e Shkopetit.
Dyshohet se gjatë rrokullisjes së makinës, trupi i të riut ka dalë nga mjeti. Ai u gjet mëngjesin e 9 korrikut nga familjarët, të cilët kishin nisur kërkimet pas zhdukjes së tij.
Arrestimet janë rezultat i punës së mirë dhe të shpejtë të grupit hetimor, që po vijon ende punën për kapjen e personave të tjerë dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.