E rrahu dhe tentoi ta mbyste me duar, shqiptari mbështolli gruan me tapet duke besuar se e kishte vrarë! Si u zbulua se 42-vjeçarja ishte gjallë

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Megliadino San Fidenzio, Padova, ku një 55-vjeçar shqiptar dhunoi brutalisht bashkëshorten e tij, duke menduar se e kishte vrarë. Sipas mediave italiane, burri e sulmoi gruan, i vuri duart rreth qafës dhe e goditi përtokë me grushte e shqelma, derisa ajo humbi ndjenjat.

Duke besuar se ajo kishte vdekur, ai e mbështolli me tapet dhe e tërhoqi zvarrë në ballkon. Kur mbërriti djali i çiftit, 22-vjeç, i ati i tha se e ëma kishte vdekur dhe kërcënoi se do të hidhej nga tarraca për të vrarë veten.

Ndërkohë, fqinjët që kishin dëgjuar të bërtiturat telefonuan policinë dhe ambulancën, e cila zbuloi se gruaja ishte ende gjallë. Ajo u transportua në spital në Schiavonia me plagë të rënda, ndërsa burri u arrestua me akuzën e tentativës për vrasje.

Sipas hetimeve, 42-vjeçarja kishte qenë viktimë e dhunës për vite me radhë, shpesh në sy të të birit. Gushtin e kaluar, ajo kishte përfunduar në spital me plagë të shumta, ndërsa fqinjët dëshmojnë se nga shtëpia e çiftit shpesh dëgjoheshin britma dhe grindje.