E rëndë në Kosovë/ Adoleshenti qëllon me armë zjarri motrën
Një ngjarje e rëndë është shënuar paraditen e ditës së sotme në Ferizaj të Kosovës, ku një 19-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri motrën e tij 25-vjeçare. Ngjarja ndodhi në rrugën “Mejdi Xhaferri”. Mësohet se pas të shtënave, i riu u largua nga vendi i ngjarjes, por u arrestua pas ndërhyrjes së shpejtë të policisë.
Policia Rajonale e Ferizajt konfirmoi se i dyshuari, shtetasi E.M., është lokalizuar dhe ndaluar në kohë të shpejtë, ndërsa arma e përdorur është sekuestruar.
E plagosura mori ndihmën e parë në Emergjencën e Ferizajt dhe më pas u transportua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Fatmirësisht, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet në vendin e ngjarjes janë kryer nga ekipi hetimor, ndërkohë që motivi i ngjarjes mbetet ende i paqartë. Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.