E rëndë në Janinë! Shqiptarja hidhet nga dritarja e hotelit për t’i shpëtuar bashkëshortit pas kërcënimeve

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Janinë, ku një 45-vjeçare shqiptare, e cila kishte denoncuar bashkëshortin për dhunë në familje, është hedhur nga dritarja e katit të tretë të një hoteli pasi ai arriti ta gjente. Fatmirësisht, gruaja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por ka marrë plagë të rënda dhe po trajtohet në spitalin e Janinës.

Ngjarja ndodhi pasi 45-vjeçarja kishte kërkuar ndihmë nga policia, duke raportuar se bashkëshorti i saj e kërcënonte. Për të shmangur një përballje të mundshme, autoritetet i kishin sugjeruar të përdorte një aplikacion paniku dhe të qëndronte në një ambient të posaçëm, por ajo refuzoi dhe vendosi të qëndronte në një hotel bashkë me vajzat e saj.

Ditën e ngjarjes, ndërsa ndodhej në dhomën e hotelit, ajo kuptoi se bashkëshorti kishte arritur ta gjente dhe po e kërkonte në recepsion. E frikësuar nga situata, 45-vjeçarja vendosi të hidhej nga dritarja e katit të tretë.

Vajza e saj, e cila ndodhej në dhomë në momentin e incidentit, ka deklaruar për policinë se mes prindërve nuk kishte pasur dhunë fizike, por vetëm kërcënime nga babai i saj.

“Jo, nuk ka pasur dhunë, vetëm një kërcënim nga babai dhe nëna ime u tmerrua. Nuk dinim që ai po na kërkonte”, ka thënë ajo.

Menaxheri i hotelit, ndërkohë, tregoi se burri i gruas ishte në recepsion duke e kërkuar, por hoteli nuk i kishte dhënë asnjë informacion për vendndodhjen e saj.
“Ai po pyeste për të në recepsion, por ne nuk i dhamë asnjë informacion. Mesa duket, e kishte zbuluar vendndodhjen nga një i afërm i saj. Kur gruaja e kuptoi se ishte gjetur, u hodh nga dritarja”, tha menaxheri i hotelit për mediat greke.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.