E rëndë në Gjermani! Mjeku akuzohet për vrasjen e 15 pacientëve me doza vdekjeprurëse medikamentesh

Një mjek 40-vjeçar në Gjermani po përballet me akuza të rënda për vrasjen e 15 pacientëve, të cilëve dyshohet se u ka administruar doza vdekjeprurëse medikamentesh. Sipas prokurorëve, pacientët ishin kryesisht në kujdes paliativ.

Ai ndodhet në paraburgim që prej gushtit 2024 dhe autoritetet kërkojnë për të një ndalim profesional të përjetshëm.

Identiteti i mjekut nuk është bërë publik për shkak të ligjeve të privatësisë. Fillimisht, ai u hetua për katër vdekje të dyshuara, ku prokuroria pretendon se tentoi të mbulonte gjurmët duke djegur trupat në banesat e viktimave. Por hetimet e mëvonshme kanë çuar në zbardhjen e të paktën 15 rasteve të vdekjeve të dyshimta, që datojnë që nga viti 2021.

Autoritetet kanë njoftuar se po shqyrtojnë të dhënat e pacientëve të trajtuar nga mjeku dhe po planifikojnë zhvarrime të tjera për të hetuar në thellësi rastin tronditës. Ndërkohë, po vlerësohen edhe procedurat mjekësore të ndjekura në secilin rast, për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të rënda të etikës profesionale.