E reja humbi jetën pas ndërhyrjes plastike, reagon spitali Amerikan 2

Spitali Amerikan 2 ka reaguar lidhur me vdekjen e Irida Hasallës një ditë pas operacionit në këtë spital. Në një njoftim për median spitali thotë se bëhej fjalë “për një ndërhyrje rutinë e kryer sipas protokollit mjekësor pasi janë kryer të gjitha kontrollet, konsentet dhe analizat pre operatore të nevojshme”

Spitali thotë ndër të tjera se 28 vjeçarja ka “pësuar një përkeqësim të menjëhershëm nga një komplikacion post operator mjaft i rëndë dhe me shkallë të lartë mortaliteti, i cili është pjesë e riskut të çdo ndërhyrjeje kirurgjikale.

Gjithashtu është në dispozicion për të bashkëpunuar me institucionet ligjzbatuese për sqarimin e kësaj ngjarje të dhimbshme

Deklaratë

Nisur nga vëmendja dhe interesi publik, Spitali Amerikan, me pikëllim dhe dhimbje të thellë, ndien detyrim moral dhe profesional të japë informacion të saktë ndaj rastit të pacientes I.H për ndarjen e saj papritur nga jeta, më datë 30 Janar. Pacientja I. H. në datë 29 Janar ka kryer ndërhyrje kirurgjikale pranë Spitalit Amerikan, ndërhyrje rutinë e kryer me çdo detaj sipas protokollit mjekësor dhe profesional. Operacioni është kryer konform çdo standarti mjekësor, pasi janë kryer të gjitha kontrollet, konsentet dhe analizat pre operatore të nevojshme.

Operacioni ka përfunduar me sukses dhe pa asnjë problem. Në datën 30 Janar pacientja pësoi një përkeqësim të menjëhershëm nga një komplikacion post operator mjaft i rëndë dhe me shkallë të lartë mortaliteti, i cili është pjesë e riskut të çdo ndërhyrjeje kirurgjikale. Pavarësisht përpjekjeve maksimale nga mjekët dhe stafi më i specializuar i Spitalit për gjatë disa orësh për ta risjellë pacienten në gjendje normale, fatkeqësisht pacientja humbi jetën.