“E qëllova katër herë në gjoks dhe kurriz” – Artan Tafani rrëfen ekzekutimin e Albi Bashaliut dhe porositësin “Lilo”

Artan Tafani, i penduar i drejtësisë, ka zbardhur detaje tronditëse nga ekzekutimi i Albi Bashaliut, ngjarje që ndodhi më 27 dhjetor 2021 në fshatin Gjoçaj të Peqinit. Sipas dëshmisë së tij, porositësi i vrasjes ka qenë Lorenc Lala, i njohur me nofkën “Lilo”, i cili kërkoi hakmarrje për vrasjen e babait të tij nga i ati i viktimës, brenda ambienteve të burgut.

“Lili është krahu i djathtë i Saimir Taullaut. Banda e Aldo Bares i ka vrarë vëllain, ndaj Saimiri e mbante pranë. Lili mbante edhe lekët e këtyre, Saimirit dhe Laertit”, u shpreh Tafani në dëshminë e tij.

Ai rrëfen se për të kryer vrasjen, përdorën një mjet tip Audi të bardhë dhe për t’u larguar një tjetër makinë që u parkua pranë një dyqani lulesh në orët e para të mëngjesit. “I thashë rojes ‘do e lë makinën këtu deri në orën 8’, ai pranoi dhe ikëm në drejtim të lokalit ku ndodhej viktima,” tregon Tafani.

Në dëshminë e tij, ai thekson se u përdorën dy armë me silenciator, të cilat iu dhanë nga Bledar Berberi. “Një armë nuk punoi, ndërsa me tjetrën e qëllova unë. Katër herë e kam shkrepur: dy herë në gjoks dhe dy herë në kurriz,” deklaroi ai.

Ai gjithashtu përmendi emrin e Lulëzim Mehollit si bashkëpunëtor në ngjarje dhe sqaroi se arma e përdorur ishte në pronësi të vetë Bledar Berberit. Vrasja sipas tij u krye me 6 plumba në total.