E qëlloi gruan me thikë në gjumë, shqiptari dënohet me burgim të përjetshëm në Greqi! Si ndodhi krimi makabër

Një ngjarje makabre që tronditi opinionin publik grek dhe shqiptar në vitin 2021 ka marrë një fund gjyqësor pas vendimit unanim të Gjykatës së Athinës, e cila dënoi me burgim të përjetshëm një 44-vjeçar shqiptar për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Ngjarja ndodhi më 30 korrik 2021, në zonën Dafni të kryeqytetit grek. Sipas hetimeve, viktima Anisa, 31 vjeç, u godit me dy goditje thike në qafë, teksa ndodhej në gjumë, në krevatin e saj. Ekspertiza mjekoligjore tregoi se ajo nuk pati mundësi të reagonte dhe as të kuptonte se çfarë po ndodhte.

Autori përdori një thikë kuzhine 28 cm të gjatë dhe, sipas dëshmisë së tij, e kreu aktin pasi kishte dëgjuar regjistrime që sugjeronin një lidhje jashtëmartesore të viktimës. Por Gjykata nuk pranoi asnjë provë si të vlefshme për të justifikuar krimin, duke e cilësuar aktin si vrasje me paramendim dhe duke e përjashtuar çdo rrethanë lehtësuese.

Përveç burgimit të përjetshëm, gjykata e dënoi autorin edhe me 24 muaj burg shtesë, pa mundësi uljeje dënimi. Avokati i familjes së viktimës deklaroi për mediat:

“Vendimi është i drejtë dhe i argumentuar. Ai nuk mund të kthejë jetën e humbur të Anisës, por jep një mesazh të fortë besimi në drejtësi.”

Sipas dëshmive të fqinjëve, çifti kishte marrëdhënie të tensionuara, me debate të shpeshta dhe xhelozi nga ana e burrit. Ata deklaruan se Anisa shpesh dëgjohej duke bërtitur për ndihmë nga ballkoni. Megjithatë, viktima nuk kishte paraqitur ndonjë kallëzim penal më herët.

Autori ishte pronar i një lokali fast-food në zonën Haravgji, dhe jetonte bashkë me bashkëshorten dhe djalin e vogël.

Dëshmia e autorit

Në gjyq, 44-vjeçari tentoi të justifikohej, duke thënë se kishte vendosur një pajisje regjistrimi në banesë, ku kishte dëgjuar zëra që i ngjanin zërit të gruas së tij me një mashkull tjetër. Ai pretendoi se ishte në një gjendje “errësimi mendor” dhe se nuk e kontrolloi dot veten.

“Jam i shkatërruar shpirtërisht dhe i penduar që në sekondën e parë. Nuk e përballova dot që gruaja që doja të bënte gjëra të tilla në dhomën e fëmijës,” – tha ai.

Sipas dëshmisë së tij, ai kishte hyrë në dhomë, i kishte mbyllur gojën me dorë, dhe e kishte goditur në qafë dy herë, duke e lënë të vdekur në shtrat. Pasi kreu aktin, e la thikën pranë trupit, lau gjakun nga duart dhe u vetëdorëzua në polici.

Gjykata: E vrau me vetëdije të plotë

Megjithëse tentoi ta paraqiste si krim pasioni apo reagim ndaj tradhtisë, Gjykata rrëzoi çdo pretendim të autorit, duke vlerësuar se ai kishte vepruar me vetëdije dhe paramendim.

As pretendimet për dhunë nga ana e viktimës, për kërcënime apo kërkesa për divorc, nuk u vërtetuan nga dëshmitarët ose nga hetimi. Prokuroria theksoi se autori kërkonte të zhvendoste fajësinë, duke u përpjekur ta bëjë viktimën bashkëfajtore në krimin e rëndë.