E PLOTË/ Ultimatumi i Ramës! “Lumë” dorëheqjesh nga Saranda në Dibër

Pas ultimatumit të dhënë nga kryeministri Edi Rama për rifreskimin e strukturave drejtuese në bashkitë e vendit, administrata vendore po përjeton një valë dorëheqjesh masive.

Nga veriu në jug, dhjetëra nënkryetarë bashkish, administratorë të njësive administrative dhe drejtues të drejtorive kanë hequr dorë nga funksionet e tyre.

Urdhri i kryeministrit Rama parashikon largimin e të gjithë administratorëve që kanë mbi 3 vite në këtë detyrë. Kjo po realizohet përmes dorëheqjeve, për të shmangur pasoja ekonomike që mund të sjellin padi nga zyrtarët e shkarkuar.

Bashkinë Kukës – Largohen 14 administratorë dhe 2 nënkryetarë pas urdhrit të Ramës

Zyrtarisht, janë larguar nga detyra 14 administratorë të njësive administrative dhe dy nënkryetarët e bashkisë Kukës, Agron Nuredinaj dhe Vladimir Spahiu.

Sipas njoftimit të Bashkisë Kukës, ky vendim është marrë pas një analize të thelluar të performancës në terren, ku janë konstatuar mangësi serioze në disa sektorë të shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Puna e institucionit do të vijojë me fokus të shtuar në përmirësimin e treguesve të performancës, me synimin për të garantuar cilësi dhe shërbim më të mirë për çdo qytetar,” thuhet në deklaratën zyrtare të bashkisë.

Qarku Dibër: Dorëheqje masive në 4 bashki, 35 administratorë dhe disa nënkryetarë largohen nga detyra

Në katër bashkitë e Qarkut Dibër – Dibër, Bulqizë, Mat dhe Klos – 35 administratorë të njësive administrative kanë paraqitur dorëheqjen këtë të martë, pas mbledhjeve që kryetarët e bashkive zhvilluan me ta një ditë më parë. Gjatë takimeve u është komunikuar vendimi i prerë për largimin e të gjithë administratorëve që kanë më shumë se tre vite në detyrë.

-Në Dibër kanë dhënë dorëheqje 15 administratorë.

-Në Bulqizë 8 administratorë.

-Në Mat 8 administratorë.

-Në Klos 4 administratorë.

Përveç administratorëve, janë larguar edhe disa nënkryetarë bashkish:

-Në Mat është dorëhequr 1 zv/kryetar.

-Në Klos 1 zv/kryetar.

-Në Dibër dhe Bulqizë kanë dhënë dorëheqje gjithsej 4 zv/kryetarë – nga dy për secilën bashki.

Ndërkohë, pritet që në ditët në vijim të paraqesin dorëheqjet edhe drejtorët e drejtorive në këto bashki.

Bashkia Vau i Dejës: Dorëheqje e plotë e drejtuesve pas mbledhjes me kryebashkiakun

Në Bashkinë e Vaut të Dejës, pas një takimi të zhvilluar me kryebashkiakun Kristin Shkeli, kanë paraqitur dorëheqjen të tre zv/kryetarët e bashkisë, administratorët e njësive vendore si dhe drejtorët e institucioneve lokale. Largimet ndodhin në zbatim të urdhrit të kryeministrit për rifreskimin e strukturave të pushtetit vendor.

Bashkia Sarandë/ Largim total i drejtuesve lokalë

Bashkia Sarandë është ndër të parat që ka reaguar ndaj kërkesës së qeverisë. Ditën e sotme, më 15 korrik, kanë dhënë dorëheqjen të gjithë nënkryetarët, administratorët dhe drejtorët e bashkisë. Ky ristrukturim po bëhet në funksion të një administrate më efikase dhe me performancë më të lartë.

Belsh dhe Prrenjas – Dorëheqje të njëpasnjëshme

Në Bashkinë Belsh, gjatë paradites së kësaj të marte, kanë dhënë dorëheqje disa administratorë dhe drejtorë lokalë. Procesi është pjesë e një faze të re përzgjedhjeje që synon përfshirjen e kuadrove të rinj mbi bazën e meritës.

Në Prrenjas, tre administratorë kanë dhënë dorëheqjen ditën e djeshme, ndërkohë që po kryhet një vlerësim i thelluar i performancës së drejtuesve që vijojnë detyrën.

Qarku Elbasan/ Valë dorëheqjesh në disa bashki – Procesi vijon

Në bashkitë Peqin, Cërrik dhe Gramsh, procesi i dorëheqjeve është në zhvillim e sipër. Disa drejtues kanë dorëzuar zyrtarisht largimin nga detyra, ndërsa të tjerë pritet ta bëjnë këtë në vijim.

Në Librazhd dhe Elbasan, vala e dorëheqjeve ka nisur që ditën e hënë. Sipas burimeve, në disa raste janë bërë dorëheqje të menjëhershme, ndërsa në të tjera është lënë kohë për dorëzimin e detyrës.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një mbledhjeje me kryebashkiakët më 11 korrik, dha direktivën për largimin e të gjithë kryetarëve të njësive administrative në vend. Qëllimi i reformës, sipas tij, është të eliminohet “automatikësia” në zyra dhe të vendosen në drejtim individë të aftë, të motivuar dhe me performancë konkrete.

“Të gjithë kryetarët e njësive administrative të Republikës së Shqipërisë duhet të shkarkohen. T’u jepet mundësi të tjerëve që mund të jenë më të zotë se ata. Vota që kemi marrë më shumë se çdo herë tjetër e ka rritur diferencën mes atyre që janë në parti dhe atyre që e duan këtë parti në krye”, deklaroi Rama.