E PLOTË/ Rama bën për ”ujë të ftohtë” kryebashkiakët, ultimatume dhe porosi: Keni afat deri të hënën… do ju vëzhgoj
“Kryetarët e PS, të gjithë kryetarët e njësive administrative duhet të shkarkohen dhe t’u rijepet mundësia bashkë me të tjerët që të tregojnë sa të zotët janë,” iu drejtua Rama kryebashkiakëve të zgjedhur gjatë zgjedhjeve për pushtetin vendor në 2023-in. Ai i mbajti për rreth 7 orë krerët e pushtetit vendor në Durrës dhe kërkoi edhe largimin e të gjithë nënkryetarëve. Kjo deklaratë publike e kryeministrit vjen në vazhdën e akteve të tjera të ditëve të fundit ku në disa bashki të rëndësishme në vend ka kërkuar largime masive të drejtorëve për të shkarkuar përgjegjësinë e problematikave me shërbimet publike ndaj qytetarëve.
Vala e dorëheqjeve të drejtorëve pritet të prekë edhe Bashkinë e Elbasanit, Lezhës dhe Lushnjës, sipas porosisë së lënë nga kryeministri.
“Pjerin, edhe nënkryetarët e tu i shoh shumë të lodhur. Në nderin tatë është që t’i shkarkosh të gjithë. Tek nënkryetarët është mirë të bëni një rifreskim të madh, sepse edhe ju vetë e ndjeni se mezi po i mbani në krah,” tha Rama, duke iu drejtuar kryebashkiakut të Elbasanit.
Në analizën për gjendjen e pushtetit vendor, në kulmin e sezonit turistik, Rama solli në vëmendje problematika të shumta dhe njoftoi një sërë masash të reja, me fokus të veçantë te ndërtimet pa leje dhe zaptimi i hapësirave publike.
LEXO EDHE: Ndërtimet pa leje/ Rama: Asnjë drejtor qarku s’mund të justifikohet duke thënë ‘nuk dija gjë’
Monitorim digjital dhe penalitete për ndërtimet pa leje
Kreu i qeverisë bëri me dije se do të ngrihet një qendër digjitale për monitorimin e ndërtimeve pa leje, ndërsa kompanitë ndërtuese do të detyrohen të pajisin kantierët me kamera sigurie 24 orëshe dhe GPS, për të ndjekur lëvizjen e materialeve dhe menaxhimin e mbetjeve.
“Të gjitha kompanitë që ndërtojnë për qëllime fitimi do të jenë të detyruara të vendosin kamera dhe GPS në kantierë, në mënyrë që të monitorohet në kohë reale aktiviteti dhe të shmanget çdo devijim nga lejet ndërtimore,” deklaroi Rama.
Ai paralajmëroi masa të ashpra për arkitektët që bashkëpunojnë në mënyrë të paligjshme me ndërtuesit. Sipas tij, atyre do t’u hiqet licenca dhe do të përballen me ndjekje penale. Gjithashtu, për ndërtimet pa leje nuk do të lidhen më kontrata për ujë dhe energji elektrike.
Reformë në menaxhimin e ujit dhe mbetjeve
Rama njoftoi se qeveria po planifikon krijimin e një ndërmarrjeje kombëtare për furnizimin me ujë, një strukturë e ngjashme me OSHEE-në për energjinë. Po ashtu, pas dështimeve me inceneratorët në Elbasan, Tiranë dhe Fier, do të ngrihet edhe një kompani shtetërore për menaxhimin e mbetjeve urbane.
“Imagjinoni një drejtor UKT-je me 30 veta në zyrë. Kështu ka qenë në Tiranë. Çudira ka pasur shumë,” tha Rama.
Taksë më e lartë për shtëpinë e dytë nga viti 2026
Një tjetër masë e njoftuar ishte taksa e re për banesën e dytë, që do të hyjë në fuqi nga viti 2026. Qytetarët që zotërojnë më shumë se një banesë do të paguajnë më shumë, gjë që do të sjellë të ardhura shtesë për bashkitë, veçanërisht ato në zonat bregdetare.
“Taksa për shtëpinë e dytë do të jetë më e madhe se për shtëpinë e parë. Kjo do të sjellë më shumë të ardhura për bashkitë, sidomos në bregdet,” tha Rama.
Kritika për drejtuesit vendorë, përjashtim vetëm për një
Ndër kryebashkiakët që morën më shumë kritika ishin Ermal Dredha i Vlorës dhe Gledian Llatja i Elbasanit, ndërsa i vetmi që u përmend për lavdërime ishte Andis Salla i Cërrikut.
Kryeministri nuk kurseu kritikat as për mbështetjen që bashkitë duhet t’u japin bujqve dhe fermerëve në përfitimin e fondeve nga Bashkimi Evropian.