-Turizmi, po i ke parë ku i ka çuar çmimet ai turizmi 3 mujor për njerëzit që jetojnë 12 muaj këtu? Po atë kaosin që krijohen për banorët vendas, kam parasysh Vlorë. Me ato rrugët që i ke projektuar për 20 mijë banorë, po në verë bëhet 200 mijë? Po punimet nëpër rrugë që zvarriten pafundësisht dhe kryhen kryesisht në verë kur trafiku është më i madh? Po çmimet e banesave, sa i ka çuar ai turizmi yt 2-3 mujor a ke pyetur?
Kryeministri Edi Rama: Ka patur shumë pyetje për turizmin edhe këtu kam jo vendimet e qeverisë, as shifrat e qeverisë, po këtu kam raportin për Shqipërinë nga Këshilli Botëror për Turizmin dhe i udhëtimeve, institucion ndërkombëtar, tërësisht i pavarur, që prodhon raporte për gjithë botën dhe i referohen të gjithë shtetet.
Në Shqipëri pesha e turizmit për vitin 2024 vlerësohet 26% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, 26 %.
Punësimi që gjeneron sektori i turizmit është 21.8 % e totalit dhe më tutje vazhdon raporti, në Shqipëri rritja vlerësohet 7.7 % kundrejt vitit të mëparshëm dhe 47.5 thuajse 50 %, thuajse dyfish kundrejt vitit 2019, këtu në këtë “Somalinë” tonë siç thoni ju.
Ndërsa punësimi në sektorin e turizmit është rritur me 14.1% krahasuar me vitin para pandemisë, sepse të gjitha matjet në sektorin e turizmit, të gjitha këto organizma i bëjnë në periudhën para dhe pas pandemisë.
Shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri në vitin 2024 vlerësohen 4.8 miliard dollarë, ose rreth 4.5 miliardë euro. 4.5 miliardë euro të ardhura nga ata që vijnë këtu dhe ato 4.5 miliardë euro ata i lënë këtu.
Rritja 54.7 % pra një rritje e jashtëzakonshme, krahasuar me vitin, nivelin para pandemisë. Ndërsa shpenzimet e turisteve vendas, pra të shqiptarëve që bëjnë pushime në Shqipëri, këtu ku “vdiset për bukë” dhe ku të gjithë “vriten rrugëve”, 980 milionë dollarë, ose 950 milionë euro i harxhojnë shqiptarët, shqiptarët që jetojnë në Shqipëri. Ata që sipas disave këtu nuk kanë bukë të hanë.
Pra për të vazhduar më pas, shpenzimet nga turistët e huaj, ata që vijnë nga 82% e totalit, shpenzimet nga turistët, pra nga ata që lëvizin brenda për brenda Shqipërisë gjatë gjithë vitit, se lëvizin gjatë gjithë vitit, se prandaj në vijimësi shërbimet janë të gjitha në këmbe, etj etj, janë 18 % dhe të punësuarit në sektorin e turizmit 278 mijë.
Tani më the ai turizmi yt, 2-3 mujor, a thua 2-3 mujor?
Atëherë në janar të 2024, 490 mijë vizitorë dhe turistë, 490 mijë.
Në shkurt të 2024, 480 mijë, në mars të 2024; 564 mijë, në prill të 2024; 794 mijë, në maj të 2024; 973 mijë, në qershor në 2024.
1.2 milionë normal fillon sezoni intensiv, siç e ka gjithë bota unë nuk e kuptoj pse duhet të jetë ndryshe këtu dhe pse ju duket ndryshe atyre, që këtu nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër përveçse se ta pikturojnë Shqipërinë si Somali, siç e tha dikush dhe po i qëndroj asaj.
Korrik të 2024, 1.8 milionë; gushti, 2.1 milion; shtatori 1.2 milion. Turizmi 2-3 mujor, tetori 760 mijë; nëntori 547 mijë dhe dhjetori 654 mijë.
Pra, sicc e shikoni kemi të bëjmë më një industri, është një industri që është krijuar këtu në këtë Somalinë tonë, një industri që sjell siç iu thashë 4.5 miliardë të ardhura nga ata që vijnë këtu nga jashtë. Thënë të gjitha këto. Ku shkojnë këto se thonë ku i çon i merr për vete?
Është një lëvizje e tërë ekonomike, janë ata që prodhojnë ushqim, janë ata që prodhojnë gjithë farë lloj gjërash dhe janë ata që bëjë gjithfarë shërbimesh për këta thuajse 12 milionë njerëz që kalojnë këtu që nuk janë natyrisht të gjithë turistë që rrinë këtu, etj etj. Por, janë masivisht turistë që rrinë dhe shpenzojnë këtu. Dhe nga kjo ka ardhur edhe rritja e pagave në sektorin e turizmit.
Prandaj, iu them atyre që janë Greqi hajdeni këtu more, çfarë bëni në Greqi nëpër hotele, nëpër restorante, nëpër shërbimet e turizmit, çfarë bëni në Greqi, hajdeni këtu se është më mirë këtu në fund të ditës, pasi muaji atje vërtet mund t’iu duket se keni më shumë. Megjithëse në shumë profile nuk ka më shumë as në dukje, po taksat, po transporti, po qeraja, po tjetra, po tjetra, ndërkohë që këtu jeni në shtëpinë tuaj dhe atyre që flasin për qiratë iu them: Po more është e vërtetë janë rritur, patjetër janë rritur, por jemi vendi me numrin më të madh të shtëpive pronë, 94 % i kemi pronë.
Po të shikoni Europën Perëndimore është shumë më pak natyrisht. Dhe meqë erdhëm të Greqia, diaspora Kqz.gov.al është adresa për tu regjistruar për të votuar në 11 maj, mundësia për ata që janë jashtë është deri në 4 mars që të regjistrohen sepse pastaj dalin listat dhe pastaj iu duhet çuar vota me postë, posta e sjell, e paguan shteti, mbush aty fletën e votimit me kë dëshiron të votosh dhe e nis mbrapsht. Pra diaspora.kqz.gov.al. Sidoqoftë mjafton dhe të futesh në Google dhe të shkruash KQZ dhe shkon direkt tek faqja e kqz pastaj hyn tek diaspora dhe vazhdon. Përgjithësisht është i thjeshtë regjistrimi, nganjëherë të rikthehet për shkak se drita e fotos nuk është vënë, nuk është e mjaftueshme për shkak se dokumenti nuk është vënë siç duhet etj, por dhe lajmi tjetër që kam është se dje qeveria ka vendosur që të gjithë ata që kanë pasaporta dhe karta ID të cilave u ka kaluar afati, do të mund të votojnë, pra mjafton ta kenë pasaportën dhe kartën ID pavarësisht afatit që mund t’i ketë kaluar, përtej skadencës, janë votues në 11 maj në qoftëse do të regjistrohen.
-Si është puna thuaj, se jemi të varfër, duket varfëria nga makinat luksoze, shtëpiat, vilat e arreduara sa më mirë, bare e restorante çdo 100 metra. Gjithë bregdeti me hotele shumëkatëshe. Mos duan dhe bordello këto të varfër? Çohuni e punoni si punojnë refugjatët nga 7 deri në 10 të darkës. Dembelë. Jeni bërë të gjithë politikanë. S’ka shtet që iu plotëson qejfet juve.
Kryeministri Edi Rama: Tani mos ta ekzagjerojmë sepse ata që i shprehin këto kulme, jo Somalia, jo s’ka bukë, jo s’ka ujë, jo s’ka drita, janë një pakicë. Janë një pakicë e cila do bëjë dhe ajo të vetën dhe shyqyr që i kemi dhe ata se përndryshe ç’kuptim do të kishte jeta demokratike edhe pluralizmi i opinioneve edhe pse shumë prej tyre janë të shurdhuar për shkak se i është çarë daullja e veshit duke dëgjuar ‘’zhabat dhe bretkosat e kënetës’’ opozitare për fat të keq ku mbretëron një ‘’buf’’ stërplak që e mori në qafë tërësisht mendimin dhe opozitarizmin në Shqipëri, por gjithësesi kjo është zgjedhje e atyre që gabojnë, por gjithësekush ka të drejtën të gabojë.
-Ore zotëri nuk qe Europa që e akuzoi Ministrinë e Drejtësisë për vjedhjen tani lavdëron Evropa qeverinë tuaj..
Kryeministri Edi Rama: Jo, jo Evropa është në nivel më të ulët, të lutem shumë, t lutem shumë. Aman se nuk e di domethënë se si mund të kemi një diskutim më normal ku shkojmë në ekstremitete të tilla. Një strukturë e posaçme në BE e cila merret me monitorimin edhe me hulumtimin e të gjitha programeve që kanë të bëjnë me financimet e BE për bujqësinë ka konstatuar një sërë problematikash të cilat ne po i adresojmë ndërkohë që pikërisht se Europa është shumë skrupuloze dhe nuk ta fal asgjë, kur je gabim thotë je gabim dhe pikërisht pse ata që ta thone je gabim në kuptimin se s’ta përtojnë fare, të thonë edhe të mirën sepse nuk ta kursejnë kur duhet ta thonë, janë pika e referimit tonë sepse nuk merren me portale, nuk merren me kanale, nuk merren me këneta, nuk merren as me vetëkënaqësinë tonë në rast se në moment jemi të vetëkënaqur por merren me shifra, merren me fakte, merren me prova.
-Për turistët mos fol –thotë Krist Murati- sepse është në niveli i atyre turistëve që na kanë ngrenë byrekët e Tiranës.
Kryeministri Edi Rama: 4.5 miliardë euro byrek? Nuk besoj. Nuk besoj. Por edhe sikur të ishin byrekë ça ke ti kundër byrekut o Krist ndërkohë që..
– kush janë organizatat ndërkombëtare që u çmendën për Shqipërinë apo Sorosi?
Kryeministri Edi Rama: Ja, e shikon? Domethënë e tregon shumë qartë se nga i merr informacionet dhe kujt ia beson këndvështrimin tënd ndaj realitetit. Jo. BE, FMN, SIGMA që përpara para pak ditësh nxorri raportin e monitorimit të performancës së shteteve të BP dhe e përcaktoi me kriteret që ka, me pikëzimin që doli në fund nga plotësimi i kritereve, nga plotësimi i standardeve, Shqipërinë si lider rajonal në menaxhimin e financave publike, në prokurimin publik, pra në tenderat lider rajonal; në administratën publike, në qeverisjen digjitale. Këto pra, këto o Krist, këto.
– Mbete duke sharë gjithë jetën. A s’e kupton se ke dalë nga shinat e karakterit njerëzor? Me këtë komunikim banal ti nuk bind askënd, përkundrazi, bëhesh i neveritshëm, bëhesh kënetë.
Kryeministri Edi Rama: Po, kënetë. Po dhe nuk po shaj askënd. Nuk po i them askujt kriminel, nuk po i them askujt hajdut, drogaxhi, etj sepse kjo është të dalësh nga shinat e njerëzores por po përcaktoj një fakt dhe po e përshkruaj atë siç ma kanë mësuar mësuesit e mi të gjuhës shqipe. E di kush janë ? Im Zot Fan Noli, Faik bej Konica, At Gjergj Fishta. Nga ata e kam mësuar unë shqipen, i dashur Lekë Gjonaj kështu që të paktën At Gjergj Fishtën të sugjeroj ta lexosh që të shohësh se si edhe duke qenë prift, katolik, njeri i mëshirës kristiane nuk ia kursen dajakun e gjuhës shqipe atyre që duan dajak, por ama pa shkuar tek ofendimi personal, pa shkuar tek akuzat penale, pa kriminalizuar me gojë njerëzit duke qelbur të gjithë ajrin e përbashkët që thithim dhe duke ua nxirë shqiptarëve përditë e përditë kriminela, kriminela, hajdutë, hajdutë, kriminela, kuak-kuak-kuak. Kjo është këneta.
– Nuk është nevoja, thotë Resi Dalliu, të ftosh njerëz të bashkohen me ty po bashkohu njëherë me ata që thonë realitetin.
Kryeministri Edi Rama: Unë i bashkuar jam përditë me ata që ma thonë realitetin dhe me realitetin sepse e kam thënë dhe më parë, për arsye të detyrës jam shumë krenarë që e kam bredhur Shqipërinë me kilometra më shumë se të gjithë kryeministrat që nga viti 1912 të mbledhur së bashku dhe ia njoh Shqipërisë të gjitha qytetet, ia njoh të gjitha kthesat e rrugëve. Di edhe ku vjen vala edhe ku ikën vala e celularit pa pritur që të më iki apo që të më vijë vetëm nga peizazhi që është jashtë dritares që ta dish ti dhe plus kësaj, nuk mund t’i takoj të gjithë shqiptarët natyrisht sepse është e pamundur por e ka arritur këtë shkenca sociale dhe politike. Ka anketa që bëhen për t’i pyetur të gjithë shqiptarët, të tjerët pyesin amerikanët, britanikët etj, për ta pyetur popullin se çfarë mendon dhe ne bëjmë çdo muaj dhe unë e mas pulsin e shqiptarëve çdo muaj në mënyrë edhe shkencore dhe u rri mbi kokë punëve se prandaj jam këtu. Dakord? Nuk jam si shumë të tjerë që nuk dinë të bëjnë punë të tjera, nuk jam si shumë të tjerë që dinë vetëm të nxjerrin bukën duke sharë e duke akuzuar e duke ofenduar. Di të bëj dhe punë të tjera, po t’i kujtoj; ja këtu mbrapa kam edhe ngjyrat, por ama i kam dedikuar këtë pjesë të jetës sime kësaj pune dhe me thënë të drejtën zgjohem më herët nga të gjithë dhe fle më vonë nga të gjithë sepse kjo është detyra ime, kështu që mos me trego si është realiteti sepse ia njoh mirë realitetit të gjitha boshllëqet, të gjitha dobësitë dhe prandaj jam këtu se po të isha i kënaqur e nëqoftëse do kisha mbaruar nga energjitë, nuk do isha këtu, dakord? Se ta thashë, di të bëj dhe punë të tjera.
-Gjithmonë bën propagandë, s’ka ujë 24 orë –thotë -dil fol, e ke për atë tjetrin që unë i dhashë përgjigje.
Kryeministri Edi Rama: Ok, po dëgjo pak se edhe për këtë çështjen e ujit duke qenë se janë disa që kam të dhëna këtu se duhet me fol me fakte apo jo se kur ne kemi marrë detyrën, vetëm 4 zona urbane dhe asnjë zonë rurale, po vetëm 4 zona urbane kishin 24 orë ujë dhe 60% e lidhjeve të ujësjellësit s’kishin fare matësa, zero. A e kupton ti? Ndërkohë që sot nuk janë 4 po janë 43 zona urbane dhe 99 zona rurale dhe nuk flasim për.. zonë urbane nuk i themi thjesht një qyteti dhe zonë rurale nuk i themi thjesht një fshati. Janë zona të mbulimit nga sistemi i ujësjellësave që furnizohen me ujë dhe janë lidhur 300 mijë kontrata të reja, 300 mijë kontrata të reja. Investimet e reja kanë qenë të vazhdueshme dhe vazhdojnë dhe sot që flasim, janë 60 investime të reja që kanë nisur në 2024 dhe vazhdojnë edhe sot dhe shtrihen në 29 bashki, pra edhe në pjesë të caktuara të tyre ku nuk ka ujë 24 orë, se është e vërtete edhe kjo, përfshijnë 13 qytete, 45 zona rurale që do të thotë se kjo punë vazhdon. Tani është shumë interesant pjesa se pse bën krahasime? Po si do kuptojmë ku jemi nëse nuk mbajmë mend ku ishim dhe nëse nuk dimë ku duam të shkojmë. Ose si mund ta dimë ne ku duam të shkojmë dhe kur mund të shkojmë nëse nuk dimë ku jemi dhe ku jemi do ta kuptojmë në raport me nga jemi nisur, se kështu bëhen krahasimet dhe mos më tregoni si e bënte Enver Hoxha në ‘38 se unë s’po iu krahasoj me 100 vjet përpara, po iu krahasoj thjeshtë dhe vetëm 10 vjet përpara dhe 10 vjet në jetën e një njeriu janë shumë, në jetën institucionale të një vendi janë 1 vit, shumë prapë po them, po hajde po ju jap një vit dhe në ndërkohë është e padiskutueshme që shumëkush nga ata që flasin keq e thonë, keq, keq, keq nuk e vënë fare mendje në punë për tu kujtuar se në fakt ku ishim kur sipas tyre ishim mirë, se i bie që ishim mirë kur ishim keq dhe jemi keq kur jemi shumë më mirë, kështu i bie.
– Lojë e rrezikshme e shpopullimit. Ata pak shqiptarë që s’mund të ikin, do futen përçarje, do krijohet shteti bektashi.
Kryeministri Edi Rama: Oh të marrsha të keqen. Po si mor vëlla. Ore se është çudi e madhe ku do krijohet ky shteti bektashian, ku, ku? Thjeshtë dhe vetëm për ata që kanë qenë, aty tek ai territori i vogël që ka brenda, i ka apo si ka 150 veta, dyshoj shumë që i ka, mund të ketë edhe shumë më pak.
– Këtu kanë mbet 1.5 milion banorë thotë.
Kryeministri Edi Rama: Nuk kanë ngel 1.5 milion banorë janë 2.4 milion banorë, u bë regjistrimi i popullsisë, 2.4 milion banorë, dakord.
– Votoni Ramën dhe do të prisni 100 mijë ose më shumë palestinez?
Kryeministri Edi Rama: Po pse për çfarë arsye apo sepse kështu ka ardhur një zë kuak, kuak, kuak nga këneta. Jo Visar jo nuk është e vërtetë, është e gjitha një sajesë që mori rrugën, siç e marrin rrugën me shpejtësi sajesat se jemi në atë kohën kur e përditshmja jonë është ajo shprehja e popullit “kur e vërteta s’ka veshur akoma pantallonat, gënjeshtra e ka bërë xhiron e botës” dhe me gjithë këto mrrokllat dhe me gjithë këto rrjetet, vërtet që gënjeshtra bën xhiron e botës dhe e vërteta mezi vesh pantallonat. Se e vërteta është pak e mërzitshme, gënjeshtra është e lezetshme se prirja për të besuar këto lezet e gënjeshtrës është më e madhe. Se rrinë bëjnë muhabet, se si tani do rrimë të vrasim mendjen për të vërtetën, jo mo, hajde rrej, rrej, rrej dhe bëj qejf.
– Njerëzit i ke akoma me bidona dhe karroca si në Somali thotë Alban
Kryeministri Edi Rama: Po mirë more, si ka mundësi, çfarë bëhet kështu.
– U bëre si nastradinim, prapë Albani.
Kryeministri Edi Rama: Alban po ca ke me mua o vëlla? Unë ta kam fajin që humb e humb ajo partia që ke zgjedhur ti. Po ndrysho partinë të biesh rehat.
– E vërteta është që te ne nuk siguron bukën e gojës, nuk ka asnjë lloj mundësie.
Kryeministri Edi Rama: E vërteta është ca më ndryshe më duket apo jo.
– Ju ka ardh fundit, thotë Leo. Ju ka ardh fundi?
Kryeministri Edi Rama: Ta shohim nëse është fundi, fundi, këtë e ka në dorë vetëm Zoti, në qoftëse e ke fjalën për fundin e mandatit, po i ka ardh fundi mandatit. Nëse e ke fjalën për fundin e të qëndrimit tonë në udhëheqje, këtë do ta shohim me 11 maj edhe do ta thotë populli këtë, shyqyr që kemi mundësinë ta provojmë nëse ti ke të drejtë. Nëse ti ke të drejtë do shkojmë në shtëpi patjetër kjo është demokracia. Po kam frikë se nuk ke të drejtë, megjithatë.
– Do t’u bësh një tortë si Basha në Tiranë shqiptarëve që duam.
Kryeministri Edi Rama: Nuk e di ca ke dash të thuash po me thënë të drejtën një ëmbëlsire kemi pas edhe se di tashti si do bëjmë ta kemi prapë Lul Bashën. E kemi pas ëmbëlsirën, ne të tjetër gjithë kështu, ëmbëlsira jona ka qenë Lul Basha e të gjithëve. Edhe tortën jo rastësisht e bëri Lul Basha se e keni parasysh ju. Edhe me thënë të drejtën nga të gjitha ato që kanë thënë, vetëm një tortë ka bërë. O Lul ku je se sa herë më kujtojnë ty, kam një nostalgji, kam një përvëlim nuk e di.
– A do të vazhdojë taksimi zero për biznesin e vogël?
Kryeministri Edi Rama: Deri në vitin 2029, e kam thënë dhe e kemi thënë dhe është në dokumenta tani, në dokumentat e buxhetit tani, e të gjithave deri në 2029 si askund tjetër në rajon se në Europe nuk bëhet fjalë fare. Po si askund tjetër në rajon, biznesi i vogël ka zero taksë, zero TVSH për xhiro deri në 100 mijë euro dhe zero taksë me TVSH për xhiro deri 140 mijë euro. Kjo është pak por e sigurt për biznesin e vogël. E kemi aleatin më të madh në këtë proces dhe të gjithë atyre që thonë s’ka bukë, i them, shkoni pyesni pak. Çdo biznes i vogël, se si e hap derën e dyqanit, i uritur apo normalisht i ngrënë.
– Kur do të vihet treni Tiranë-Durrës?
Kryeministri Edi Rama: Treni Tiranë-Durrës do të vihet në punë shumë shpejt jemi në një fazë shumë të avancuar të punimeve të hekurudhës. Ka marrë shumë kohë, sepse ka pasur procedura shumë të stërzgjatura me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, po besoj që jemi rrugës.
– Ul çmimet e çdo gjëje, se janë më të larta në Evropë.
Kryeministri Edi Rama: Po si shpjegohet që ata që vijnë këtu të gjithë thonë që Shqipëria është më lirë sesa. Ne nuk mund të bëjmë këtë krahasim, pra, mos ta themi këtë janë të lartat në Europë, se mund të jenë vetëm disa artikuj që janë të ato supermerkatot më të shtrenjta për shkaqe objektive janë, por në përgjithësi as nuk bëhet fjalë fare. Ne do ta shohim me fuqinë tonë blerëse dhe natyrisht që ajo që qeveria bën është të rrisë pagat, është të rrisë mundësitë për të rritur më tej pagat dhe në sektorin privat dhe është të rrisë bonuset për pensionistët dhe të rrisi në mënyrë graduale pensionet me skemën e reformuar. Këto mund të bëjë qeveria, sepse përndryshe, cimet i vendos sektori privat, nuk i vendos shteti në këtë sistem. Por ama, ajo që ne bëjmë është rrisim fuqinë blerëse dhe praktikisht kemi një rritje domethënëse të fuqisë blerëse, sepse ja u thashë çfarë tregojnë shifrat dhe çfarë tregojnë faktet, dhe nëse 980 milionë euro, në tërësinë në tërësinë e të ardhurave nga turizmi janë para nga ata që bëjnë turizëm brenda për brenda vendit do të thotë që fuqia blerëse është rritur. Natyrisht nuk është në të gjitha kategoritë, nuk është për të gjitha shtresat, kjo është e padiskutueshme, por kjo është rritja hap pas hapi që bëjmë.
-“Kam plotësuar të gjitha dokumentet për t’u pajisur por më nxjerrin shumë kërkesa”.
Kryeministri Edi Rama: Ju lutem, se shoh një sërë ankesash lidhur me dokumentacion. Ja dhe një tjetër, problematika e Kadastrës, nuk përgjigjen me e-mail. Ju lutem shumë, ka një adresë të vetme unike për të gjitha problematikat që keni për shërbimet me dokumenta që është platforma e Bashkëqeverisjes, Shqipëriaqëduam.al Aty të gjithë marrin përgjigje, natyrisht jo të gjithë marrin përgjigjen që dëshirojnë sepse ka gjëra që behën, ka gjëra që ndonjëherë nuk bëhen, por aty nuk të lë njeri pa përgjigje.
-“Specialistët thonë se janë rreth 40 mijë apartamente bosh në Tiranë”.
Kryeministri Edi Rama: O miku im, cilët specialistë, specialistët e portaleve apo kanaleve? Nuk merren specialistët as me kanale e as me portale dhe as kanalet dhe portalet nuk merren me specialistë sepse u intereson më shumë të dyndin e të dendin shqiptarët me gjysmë të vërteta, t’i matarojnë me gënjeshtra sesa t’u japin mendimin e specialistëve sepse mendimi i specialistëve, me thënë të drejtën, do pak durim për t’u lexuar dhe është i mërzitshëm, nuk është spektakël siç mendojnë dhe nganjëherë edhe u funksionon derisa e bëjnë kur nxjerrin ato titujt “Plas Bomba”, “Filani e hodhi bombën”, “U shkul vendi”, “Ra tërmet në Partinë Socialiste”. Ja këto nuk janë mendime specialistësh.
Këtej nga Instagrami jemi në formë më duket. Shoh shumë zemra që ngrihen. Shumë faleminderit, thank you so much!
-“Të lutem, insisto të mbarojë rruga e Arbrit”.
Kryeministri Edi Rama: Rruga e Arbrit ka mbetur vetëm tek tuneli i Murrizit dhe mos më bëni t’ju jap datë sepse jam bërë supersticioz me atë tunel. Ai tunel më ka bërë supersticioz me atë gjeologji dhe ato surpriza gjatë gjithë rrugës tamam si surprizat që bëjnë dibranët kur ulesh në sofër me ta dhe hedhin e presin fjalën. Prandaj, po punojmë intensivisht, ambicia është që pranvera t’i çojë dibranët nga rruga e përfunduar dhe t’i sjellë këtej po ashtu nga rruga e përfunduar dhe bashkë me dibranët gjithmonë e më shumë vizitorë e turistë edhe në atë zonë të mrekullueshme të Shqipërisë, por mos më kërkoni datë, ju lutem, se jam bërë supersticioz për rrugën e Arbrit. Na nxorri picirin gjeologjia e tunelit të Murrizit.
“Ka kaluar çdo masë, bllokimi i rrugëve nga 30 vetë të opozitës tek bashkia e Tiranës. Kur do të marrë fund kjo gjë”?
Kryeministri Edi Rama: Ah, çfarë të të them Ardian, ke shumë të drejtë, por është bërë si modë këtu, del një grusht njerëzish, zë rrugën dhe pastaj të tjerët duhet të presin që ata të shpërndahen, por çfarë t’i bëjmë tani. Jua thashë, janë bërë si hudhër atje tek bashkia e Tiranës dhe bëjnë punën e hudhrës, a më kupton? Që mos të marrin m’sysh. Nuk di çfarë të them tjetër.
Njerëz që merren me muret, i bien mureve, i bien karrigeve, i bien tavolinave. Çfarë është kjo, opozitë është kjo? Nuk ka lidhje me opozitën, nuk ka lidhje me idetë, nuk ka lidhje me programet, nuk ka lidhje me të ardhmen, është kuak kuak kuak.
-“Kam dorëzuar në KQZ lejen e qëndrimit të shtetit ku jetoj, pasaportën po nuk më sqaroi njeri se përse ma refuzuan”.
Kryeministri Edi Rama: Duhet të ribësh edhe njëherë aplikimin sepse me siguri mund të ketë diçka që ka të bëjë me foton, që ka të bëjë me, për shembull, tek pasaporta apo karta, tek karta duhet bërë dhe pjesa mbrapa. Domethënë, ka disa detaje që i kemi kërkuar KQZ të bëjë një video shpjeguese për të gjithë në atë faqen e vet ku për të gjitha detajet dhe të gjitha llojet e problemeve të sqarohen njerëzit. Shpresoj do ta bëjnë shumë shpejt.
-Unë falë teje do të kthehem pas 22 vitesh emigrim”.
Kryeministri Edi Rama: Mirëse të vish, atyre që kthehen me thënë të drejtën, nuk u del keq asnjëherë, sidomos atyre që investojnë në fshat.
– “Nga Laçi hajde kulloti sytë pak”.
Kryeministri Edi Rama: Unë besoj që edhe me kaq sa kam ardhur në Laç kam ardhur jo vetëm më shumë se të gjithë kryeministrat më parë të mbledhur bashkë, por më shumë se të gjithë kryeministrat më mbrapa dhe ti e paç jetën e gjatë, por do vij prapë. I kam kullotur sytë aty dhe në fakt, kur vija në fillim nuk kishe ku t’i kullosje sytë, me thënë të drejtën. Tani mund t’i kullosësh apo jo, se janë bërë gjithë ato transformime në Laç. Si thua, jemi dakord bashkë? Ra tërmeti, por u kthye në një mirësi të madhe për shumë e shumë familje, apo jo, që të rrimë shtrembër e të flasim drejt? Përmbytej Laçi nga mungesa e atij kanalit atje që i kishin bllokuar të gjitha? Tani nuk përmbytet më sepse ka gjithë atë kolektor të madh që u ndërtua, u çanë të gjitha rrugët e vjetra, janë bërë të reja. Vazhdon puna me banesat kolektive, me pallatet e vjetra etj. Mos ki merak, do vi t’i kullos sytë edhe në Laç por që të rrinë shtrembër e të flasim drejt, si thua?
-“Ato që ke bërë i dimë, çfarë do bëhet në vazhdim”?
Kryeministri Edi Rama: Në vazhdim do bëhet edhe më shumë, do bëhet edhe më mirë dhe jo sepse duhet thënë kjo por sepse kështu do të ndodhë pasi do të ulemi në tryezën e Bashkimit Europian dhe më në fund, më në fund të gjithë shqiptarët do ta kenë një ulëse atje ku do të shkruhet Albania, dakord? Jemi afër aty me Belgjikën, Albania-Belgium e me radhë. Ai flamuri ynë që për shkak të A-së do jetë i pari, flamuri kuq e zi i pari e pastaj do të vijojnë flamujt e tjerë. Kjo është ana e fasadës, siç do thonin disa, se mua më dini që i kam qejf pak fasadat, por fasada në fakt tregon dhe brendinë sepse imagjinoni sikur të gjitha gratë dhe vajzat e qytetit të dilnin në mëngjes të pakrehura, të pa veshura siç duhet, sikur të gjithë burrat të mos merreshin më me mjekrën e me mustaqet, se çfarë do bëhej në këtë vend apo në çdo qytet. Fasadë është ajo, fasadë, por ndërkohë kur të vijë ai moment do të thotë që do të kemi bërë të gjitha ato gjëra që duhen që Europën, mënyrën sesi funksionon një shtet europian ta kemi këtu dhe kjo nuk është çështje dhjetëra vitesh, kjo është çështje disa vitesh, brenda këtij dhjetë-vjeçari.
-“Në fakt e ke rritur turizmin dhe në Bovillë rruga me dy korsi, nga Zallheri deri në Bovillë”.
Kryeministri Edi Rama: Po pse çfarë do bëhet nga Zallherri deri në Bovillë, autostradë vëllai im? Nuk e kuptoj, sinqerisht nuk e kuptoj. Zvicra është vendi më i bekuar i Europës me bukuri përrallorë, me turizëm etj, etj dhe rrugët janë, nga pikëpamja e gjërësisë, si këto, me dy korsi janë rrugët në shumicën e zonave rurale dhe në shumicën e zonave të ndërmjetme malore, se si do jenë, autostradë do jenë?
Ne shkuam në Davos me makinë dhe ecnim me 30 kilometra në orë se ishte karvani i gjatë, në Davos. Gjithë ai milet atje, gjithë ata lidera, gjithë ata lidera të biznesit etj etj, si do bëhet? Do bëjmë Zallherr- Bovillë autostradë me 6 korsi? Është interesant shumë sepse kur jemi jashtë ne shqiptarët jemi ok, kur vijmë këtu kërkojmë disa gjëra që nuk e di ku, nuk e di si.
-“Ku janë premtimet për legalizimet”.
Kryeministri Edi Rama: Premtimet për legalizimet janë tek faktet, i dashuri im, tek faktet, kur ne kemi marrë detyrën ishin pak më shumë se 20 mijë legalizime në total. Sot janë çerek milionë legalizime të bëra, 240 e kusur mijë. Ka akoma, patjetër, por ama 240 e kusur mijë prona janë të legalizuara dhe 240 e kusur mijë pronarë, pjesa dërrmuese familje, kanë pronën e tyre, dakord? Të përshëndes.
“A ke në mend me e lënë ndonjëherë pushtetin se ia kalove Enverit”, thotë Rolandi.
Kryeministri Edi Rama: Roland, ti thua a ke në mend ta lësh pushtetin. Për mua kjo pyetje tingëllon ndryshe, “A ke ndërmend ta lësh punën”. Këtë punë. Jo, nuk kam ndërmend ta lë për momentin përsa kohë ata që ma kanë dhënë do më kërkojnë që ta vazhdoj. Nëse do më thonë “Faleminderit ose …. sepse deri këtu ishim” atëherë do ta lë këtë punë, kuptove? Sepse kemi një kuptim pak të ndryshëm, pushteti dhe puna janë gjëra pak të ndryshme në tingëllim, dakord? Mua pushteti më duhet për të bërë këtë punë, dakord? Nuk e bëj këtë punë për pushtetin, që të jemi shumë të qartë bashkë.
-“Na e hiq tatim-fitimin se na mbyte”.
Kryeministri Edi Rama: Dionis, kemi sistemin e taksave më të favorshmin për të gjithë ata që fitojnë më pak, edhe për rrogëtarët, më të favorshmin, se kam dëgjuar disa kuak, kuak, kuak, që bëjnë llogari dhe u thonë shqiptarëve “Po ju mbysin këta me taksa”. Në fakt jo, kemi kontributet të ulëta të sigurimeve shoqërore, kemi kontribute të ulëta të sigurimeve shëndetësore, kemi taksa të ulëta për pjesën dërrmuese. Natyrisht, ata që kanë rroga të larta patjetër që do paguajnë pak më shumë se c’u kuptua pastaj.
Ju falënderoj shumë. Do shikohemi përsëri këtu të martën e ardhshme, Sy më Sy ndërkohë do të vazhdojmë Sy më Sy edhe kështu tek e tek. Kam marrë shumë mesazhe që “Shumë mirë, ta vazhdojmë këtë komunikim”. Patjetër që do bëjmë ç’mos që ta vazhdojmë. Është kënaqësi për mua, mbledhim shumë pyetje. Më vjen keq që 90% e komenteve që komentoj janë ata që më shajnë, e kanë këtë avantazh. Ata që më lavdërojnë ose që flasin mirë mërziten sepse thonë “Pse merresh me ata që të shajnë. Duhet me të shty që të flasësh” por tani, biseda dhe temat dalin më në pah kështu, besoj. Ndërkohë që, për çdo problematikë konkrete, personale mund të shkruani por drejtohuni tek ShqipëriaQëDuam.al.
Aty do merrni përgjigje ndërkohë kam dhënë porosi që të gjitha bashkitë e Shqipërisë do të duhet të hapin shërbimin për ata të cilët kanë nevojë për asistencë teknike kur i drejtohen e-Albania sepse kanë dalë lart e poshtë disa kërpudha mashtruesish ose më saktë, mbase jo mashtruesish, por shfrytëzuesish të atyre që nuk e përdorin me sukses celularin për të marrë shërbim ose që mund të mos ta kenë nipin, mbesën aty në dispozicione shkojnë atje dhe për këtë arsye të gjitha bashkitë do kenë një zyrë të dedikuar ku mund të shkohet dhe të merret asistencë digjitale, derisa në gjysmën e dytë te vitit Diella që kryen asistencën për momentin me zë dhe përmes tastierës, të kryejë gjithë shërbimin dhe të komunikojë siç komunikojmë ne bashkë nëpërmet Inteligjencës Artificiale.