E pazakontë në Francë: Droga “ngatërron” destinacionin, nga duart e trafikantëve përfundon në supermarket
Një ngjarje e pazakontë është shënuar ditët e fundit në Francë, ku një supermarket i madh ka njoftuar autoritetet se punonjësit e tij kanë gjetur dhjetëra pako me kokainë në 4 vende të ndryshme në arkat e bananeve.
Stafi i degëve të Grand Frais në rajonin Bourgogne-Franche-Comté të Francës lindore u befasua kur gjeti 50 kg drogë të fshehur nën paleta me banane dhe ishte i shqetësuar për shëndetin e klientëve pasi kokaina mund të kishte rënë në kontakt me frutat.
Ka nisur një hetim për të zbardhur misterin se si droga përfundoi në raftet e tregut, nëpërmjet bananeve kolumbiane, ndërkohë që po kërkohet edhe kush ishin dërguesit dhe marrësit e saj.
Një zëdhënës i zinxhirit të markave Grand Frais tha: “Ne po punojmë ngushtë me policinë për të siguruar që hetimi të shkojë pa probleme dhe që stafi dhe klientët tanë të jenë të sigurt”.