“E papranueshme të përdorni vizat turistike për të lindur në Amerikë” – Ambasada e SHBA në Tiranë jep paralajmërimin e fortë për shqiptarët

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar me një mesazh të qartë dhe paralajmërues në lidhje me një praktikë që duket se është përhapur në mënyrë shqetësuese edhe tek disa shtetas shqiptarë: përdorimi i vizave turistike për të udhëtuar drejt SHBA-së me qëllim të lindjes së fëmijës atje, në mënyrë që fëmija të përfitojë shtetësinë amerikane.

Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, Ambasada ka bërë thirrje për të ndaluar këtë praktikë, duke theksuar se kjo sjell pasoja serioze për të ardhmen e të gjithë atyre që tentojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Deklarata e plotë e ambasadës:

“Është e papranueshme që prindër të huaj të përdorin një vizë turistike amerikane me qëllimin parësor për të lindur në Shtetet e Bashkuara që të sigurojnë nënshtetësinë për fëmijën, çka mund të përfshijë edhe shpenzime për kujdesin mjekësor që mbulohen nga taksapaguesit amerikanë.

Ky njihet si ‘turizmi i lindjes’ dhe oficerët konsullorë të SHBA refuzojnë të gjitha aplikimet për viza të tilla sipas ligjit të emigracionit të SHBA.”