E nxorrën zbuluar Sky Ecc dhe Matrix/ Gjykata e Posaçme merr vendimin pas kërkesës së Jurgis Çyrbjes për lirim
Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Jurgis Çyrbes për zëvendësim të masës së sigurisë. Gjyqtarja Etleva Deda rrëzoi kërkesën e mbrojtjes, vendim që erdhi vetëm pak ditë pasi SPAK mbylli hetimet për ish-deputetin dhe dërgoi kërkesën në GJKKO për nisjen e gjykimit.
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për ish-deputetin e PS Jurgis Çyrbja dhe dy persona të tjerë.
Sipas SPAK, Çyrbja akuzohet për “tregim të sekretit shtetëror”, “përkrahje të autorit të krimit” dhe “korrupsion aktiv në zgjedhje”, akuza që lidhen me periudhën 1 maj 2020 – 8 mars 2021.
Gjatë hetimeve u zbulua se Çyrbja ishte përdorues i aplikacionit të komunikimit të enkriptuar Matrix, përmes të cilit ai dyshohet se shkëmbente informacion të klasifikuar me persona nën hetim apo të përfshirë në veprimtari kriminale.
Hetimi identifikoi 8 episode ku ai kishte dekonspiruar aksione policore, nxjerrë të dhëna nga sistemi TIMS për persona në kërkim dhe shpërndarë informacion sekret të Policisë së Shtetit.
Çyrbja kishte lidhje miqësore me Altin Hajrin, një person në kërkim për rrëmbim dhe zhdukje, të cilit i premtoi ndikim në institucionet shtetërore në këmbim të mbështetjes në zgjedhje.
SPAK ka dorëzuar tashmë dosjen në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, për procedim ndaj tij, Ahmet Mashës dhe Altin Hajrit.